Balliu: Përgjimet e antimafias italiane nuk kanë përfunduar
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu ka kërkuar nga Prokuroria që të nisë hetimet në lidhje me përgjimet e publikuara nga Antimafia italiane, ku rezultojnë që zyrtarë të lartë të pushtetit qendror dhe vendor në Tiranë të jenë bashkëpunëtorë me eksponentë të klanit mafioz italian, Ndragheta.
Ish-ligjvënësi demokrat u shpreh se truprojat e kryebashkiakut Erion Veliajt dhunuan një gazetar të Ora News, në tentativë për të intervistuar kryebashkiakun e Tiranës, ndërkohë që shton se hetimet e përgjimeve nuk kanë përfunduar.
“Ka ardhur koha që gjykatat të mos hetojnë protestues, qytetarë të thjeshtë të këtij vendi, mos të hetojnë ata që ngrihen kundër babëzisë, drogës, krimit, por anëtarët dhe bashkëpunëtorët në aferat korruptive dhe mafioze të Ndraghetës në Shqipëri, duke filluar nga Erion Veliaj si përfaqësues I tyre në Bashki, që nga bashkëpunimi i tij me Flavio Tosin. E patë sot se si truprojat e tij dhunuan në mënyrë të paturpshme gazetarin e Ora News, që kërkonte ti bënte një intervistë për këtë çështje. Herën tjetër arriti ti fshihej nëpërmjet rojeve të tij, erdhi me biçikletë, doli nga mbrapa dhe pastaj servir propagandën e tij. Unë do t’i kërkoja Prokurorisë që të fillojë hetimet serioze për aktet mafioze dhe për pastrimin e parave, që është faktuar me përgjimet e publikuara. Dje kryeministri tha që hetimet janë mbyllur, dhe vetë gazetarja italiane që i publikoi përgjimet e tha dhe publikoi që në diskutimin e saj me prokurorin asaj çështje, hetimet nuk janë mbyllur. Fakti që Edi Rama e mohon atë do të thotë që është e vërtetë”, theksoi ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu, raporton “Ora News”.