Balluku: Epokë e re për Aviacionin Civil, mbrojmë të drejtat e pasagjerëve

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku siguroi sot se Autoriteti i Aviacionit Civil në Shqipëri është i angazhuar për të mbrojtur të drejtat e pasagjerëve, ndërsa i bëri thirrje kompanive që t’i respektojnë ato pavarësisht shërbimit low cost që ofrojnë.

Gjatë inaugurimit të kompanisë “Ryanair” në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Balluku u shpreh se Autoriteti Civil Shqiptar është i angazhuar maksimalisht për këtë dhe udhëtarët nuk janë vetëm kur kanë vonesa dhe anulime fluturimesh.

“As e kishim menduar pavarësisht të gjitha strategjive që do të arrinim këtu ku arritëm me parametrat e shërbimit në Aeroportin e Rinasit. Kemi qenë të bindur se me rinegocimin e kontratës dhe futjen në këtë treg të ‘Kastrati Group’ do të ndryshonte tërësisht mënyra e shërbimit. Kjo kompani ka deklaruar 100 milionë euro investim nga momenti i marrjes së kontratës, por jam shumë e sigurtë që kjo shifër prej 100 milionësh është kaluar që tani dhe ju do të investoni më shumë”, shtoi Balluku.

Ministrja theksoi se vetëm me aeroportin e Rinasit në vitin 2022 kishte 5.2 milionë pasagjerë, ndërsa këtë vit priten 6.5 milionë pasagjerë. Balluku u shpreh se ajo që dukej një e ardhme e largët për Shqipërinë se do të kishim 3 aeroporte kombëtare dhe 1 sezonal në Sarandë është e tashmja. Po ashtu, Balluku u shpreh se aeroporti i Vlorës është një nga projektet më frymëzuese dhe më të rëndësishme që po ecën me ritme të kënaqshme përpara.

SHKARKO APP