Balluku: Nuk ka rritje të çmimit të energjisë, çështje e politizuar
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku është shprehur sot se në Shqipëri nuk është rritur çmimi i energjisë elektrike, ndërsa theksoi se kjo çështje është politizuar.
E ndodhur në një konferencë për mediat së bashku me kryeministrin Edi Rama, ministrja tha se çmimi i energjisë elektrike nuk ka lëvizur që nga viti 2014.
Balluku u ndal dhe tek ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike në zona të ndryshme të vendit. Ajo shtoi se këto ndërprerje vijnë si rezultat i investimeve në rrjet.
“Do nisem me shpërndarjen e energjisë elektrike si pjesa më e prekshme për të gjithë qytetarët. Do të ndalem te kuadri rregullator që kemi krijuar gjatë dy viteve të fundit. Liberalizimi i tregut ka qenë një nga synimet tona kryesore dhe ia kemi dalë. Nga marsi i 2020 të gjithë konsumatorët 20 KW janë pjesë e tregut të lirë. Po ndërmerren masa teknike për të liberalizuar edhe shërbimin e konsumatorëve që janë të lidhur në rrjetin 20 KW. Ndarja e OSHE në tre kompani që përmbushin të gjitha kushtet. Kemi një çmim të palëvizur që nga viti 2014. Nuk ka pasur asnjë rritje. Dhe nga 13.5 kemi zbritur në 9.5 në vitin 2014. Pavarësisht politizimit që i bëhet këtij elementi, do të doja që ju ta pasqyroni këtë sepse ky është një fakt i pakontestueshëm. Investimet në rrjetin e shpërndarjes kanë bërë të mundur shërbimin pa ndërprerje. Ndërprerjet vijnë vetëm për shkak të avarive që kemi mundësi ti kontrollojmë. Koha e ndreqjes së avarive sot është minimizuar. Nga investimet kemi këtë impakt pozitiv në sistemin e energjisë”, tha Balluku.
Kujtojmë se pak ditë më parë kryetyari i PD, Lulzim Basha reagoi në lidhje me çështjen e çmimit të energjisë elektrike. Basha shprehej në një postim në rrjetet sociale se çmimet e energjisë në Shqipëri janë më të lartat në
Ballkan.