Balluku: Segmenti i Unazës Verilindore që lidh sheshin ”Shqiponja” me Bulevardin e Ri, gati në pranverë

Zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi punimet në Unazën Verilindore të Tiranës, në segmentin Sheshi “Shqiponja” – Bulevardi i Ri, loti 2, ku tashmë ka nisur puna për shtresat asfaltike.

“Kontrata parashikon përfundimin e punimeve në prill të 2024. Megjithatë ne po ecim shumë shpejt, ndërsa duhet theksuar se të gjitha lotet e tjera janë brenda afateve kontraktuale. Pavarësisht se kjo është një rrugë e kategorisë A me një gjerësi 28 metra, nuk është trajtuar si një autostradë, por është trajtuar si një rrugë urbane me gjelbërim, ndriçim dhe aksese për kalimtarët. Do të kemi dhe një mbikalim. Të gjitha këto janë elementë urbanë për të lehtësuar të gjitha zonat e banuara, sepse me të vërtetë këto janë rrugë të shpejtësisë së lartë që do të krijojnë akesin dhe lidhjen me autostradat që vijnë nga të gjitha drejtimet për tu futur në kryeqytet, por nga ana tjetër janë rrugë që janë brenda zonave të banuara dhe s’ka sesi të jenë të bllokuara, pa aksese për kalimtarët, pa gjelbërim, pa ndriçim”, deklaroi Balluku.

Zv/kryeministrja theksoi se rehabilitimi i pjesës së lumit është shumë i rëndësishëm. “Me ndërtimin e Unazës së Madhe ky lumë ka dalë në pah dhe mund të kthehet në një atraksion, pra me një shëtitore që do ta ndjekë me një rrugë biçikletash”, tha ajo.

Balluku më tej u shpreh se 2024 do jetë një vit shumë i rëndësishëm, pasi parashikohet dorëzimi i tunelit të Llogorasë, e gjithë pjesa e Unazës Verilindore të Tiranës duke plotësuar kështu Unazën e Madhe të Tiranës, përfundimi i tunelit të Murrizit dhe shumë veprave të tjera.

SHKARKO APP