Balluku: Situata nga Covid, zgjat afatin e vlefshmërisë së certifikatës së kontrollit teknik

Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, ka deklaruar se situata e koronavirusit, ka detyruar qeverinë që të shtyjë disa vendime.

Balluku në fjalën e saj në Kuvend është shprehur se në funksion të parandalimit të Covid-19, qeveria shqiptare ka nxjerrë aktin normativ për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së certifikatës së kontrollit teknik

Ndër të tjera ministrja është shprehur se është e rëndësishme që të gjithë të mobilizohemi në këto sakrifica të përbashkëta për të mbajtur nën kontroll dhe situatën nga Covid.

“Për këtë arsye, nga ekipi ekspertëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor është propozuar që duke pasur parasysh këtë fakt teknik, mos amortizimin e këtyre mjeteve, por mbi të gjitha nevojën për të kufizuar rrezikun që vjen prej pandemisë, kemi kërkuar që të shtyhet vlefshmëria e afatit të kontrollit teknik me tre muaj, për të qenë në një linjë dhe konformitet të plot me të gjithë udhëzimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve si dhe për të ruajtur sigurinë  fizike si të operatorëve, të cilët e zhvillojnë kontrollin, si dhe mbi të gjitha të vetë qytetarëve, kemi vendosur të shtyjmë afatin e vlefshmërisë të certifikatës së kontrollit teknik me 3 muaj.

Për të gjithë qytetarët që kanë apo kanë pasur datën e kontrollit periodik teknik të automjeteve të tyre në këto kohë ata kanë edhe 3 muaj kohë për të përcaktuar datën e kontrollit të tyre të radhës. Efekti primar i këtij vendimi do të jetë që do të ketë një ulje të grumbullimeve dhe radhëve për kontroll teknik duke ulur kështu rrezikun për jetën e qytetarëve. Sigurisht, sistemi i caktimit të takimeve është një sistem online, ne kemi prej kohësh që nuk kemi më radha në sportelet tona, por përsëri si pasojë e masave të diktuara nga standardet e sigurisë përballë pandemisë, kohët e këtij kontrolli janë zgjatur disi, duke ulur fluksin e kontrolleve mundësohet kështu menaxhimi i tyre brenda standardeve dhe domosdoshmërisë për sigurinë e secilit drejtues automjeti.

Gjatë gjithë kësaj kohe e në vijim, DPSHTRR është duke marrë të gjithë masat e domosdoshme për sigurinë, si të operatorëve ashtu edhe të qytetarëve, duke menaxhuar një fluks më të kontrollueshëm të kontrolleve, DPSHTRR garanton shërbimin në respekt të të gjithë protokolleve të sigurisë dhe të shëndetit. Pra duke votuar këtë akt normativ, të nderuar deputetë, për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë të certifikatës së kontrollit teknik për mjetet me motor dhe rimorkiot e tyre me 3 muaj, ashtu siç u kërkua, ne kemi mundësi të shtojmë sigurinë, duke siguruar një shërbim të përshtatshëm brenda të gjitha kushteve të parashikuara nga Komiteti i Ekspertëve për Parandalimin e Pandemisë.

Ndërkohë mund të themi që këto 3 muaj afat do të mundësojnë si rritjen e imunizimit si pasojë e fushatës së vaksinimit të popullsisë e cila do të vazhdojë, ashtu edhe uljen e shkallës së transmetimit nëpërmjet kufizimit të kontakteve dhe ruajtjes së distancimit social”, ka thënë ministrja Balluku.

SHKARKO APP