Banda e Tritolit; Karçini, Mëhillaj e Mexhaj kërkojnë gjykim të shkurtuar

Gjykim të shkurtuar ka kërkuar biznesmeni Ilir Karçini, i arrestuar për porositjen e vrasjes së mbetur në tentativë ndaj biznesmenit të gazit, Pirro Bare si dhe Andon Mëhillaj, edhe ky në rolin e porositësit të vrasjeve e Albin Mexhaj, në rolin e furnizuesit me armë.

Kërkesa e tyre është kundërshtuar nga Prokuroria, ndërkohë që gjykata nuk është shprehur ende.

Të akuzuarit

• Julian Sinanaj, në rolin e ekzekutorit

• Andon Mëhillaj, në rolin e porositësit

Andon Mëhillajt, i akuzuar si sekseri i disa prej krimeve të killerit Julian Sinanaj, u vetëdorëzua në polici. Mëhillaj është porositësi i disa krimeve të rënda, të kryera nga i penduari tashmë i prokurorisë Julian Sinanaj. Mësohet se të vetmen akuzë, që Mëhillaj e ka pranuar është ajo e vrasjes së Sokol Veizit në Orikum. Vrasjen e tij, Mëhillaj e kishte kërkuar nga Sinanaj, kundrejt 1500 m2 tokë, por pas ekzekutimit i është dhënë një apartament në Orikum. Mëhillaj këtë vrasje e ka justifikuar me faktin se Veizi i kishte zënë pronën dhe po ndërtonte shtëpi. Pas kësaj seance, pritet që Mëhillaj të ballafaqohet edhe me dëshminë e Sinanajt dhe të penduarit tjetër Ndriçim Gjokona.

• Genis Mëhillaj, në rolin e porositësit
Në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia. Bashkëpunonte me kushëririn e tij Andon Mëhillaj për porositjen e vrasjeve.

• Marjon Mitro, në rolin e porositësit
Marjon Mitro, i cili dyshohet se porositi lëndën eksplozive, që u zbulua në makinën e ish-prefektit të qarkut të Vlorës, Besnik Dervishi, teksa automjeti po hynte në atë që mund të konsiderohet si perimetri i sigurisë së godinës së Kryeministrisë.

• Ilir Karçini, në rolin e porositësit
Ilir Karçini dyshohet si porositës i vrasjes së biznesmenit Pirro Bare, krim i cili u parandalua nga policia, pasi pikërisht ditën kur ishte planifikuar të kryhej akti, u arrestua Julian Sinanaj, i cilësuar si killer me pagesë. Ky i fundit ka rrëfyer para Prokurorisë së Krimeve të Rënda se Karçini, me ndërmjetësimin e Genis Mëhillajt, në kërkim, i kishte premtuar shumën prej 120 mijë eurosh, për ekzeku-timin përmes shpërthimit të telekomanduar të biznesmenit, Pirro Bare. Karçini pretendon se nuk ka lidhje me ngjarjen në fjalë, por Julian Sinanaj e ka rënduar pozitën e tij, duke rrëfyer takimet me biznesmenin dhe bisedat e bëra me të. Të dyshuarit si anëtarë të së ashtuquajturës ‘Banda e bombave C4″ u vunë në pranga, pas përplasjeve që patën mes tyre, që detyruan të penduarin Ndriçim Gjokona të rrëfente krimet. Julian Sinanaj u prangos më 25 janar 2014 dhe pak ditë më pas pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë. Banda akuzohet për krime të shumta, mes të tjerash dhe për vendosjen e eksplozivit në makinën e ish-prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi, ngjarje për të cilën akuzohet Marjon Mitro.

• Ndriçim Gjokona, në rolin e bashkëpunëtorit
Ndriçim Gjokona, i penduari i së ashtuquajturës “Banda e tritolit”, njeriu që nga frika se mos Julian Sinanaj e vriste, vendosi të denonconte krimet. Ishte pikërisht pendesa e Gjokonës, që dërgoi pas hekurave Sinanajn dhe katër personat e tjerë. Ai dyshohet si personi që furnizonte me lëndë eksplozive Julian Sinanajn, por për shkak të prishjes së pazareve, Gjokona duke u ndjerë i rrezikuar për jetën vendosi të fliste.

• Albin Mexhaj, në rolin e furnizuesit me armë e tritol

SHKARKO APP