Banda me shqiptarë, plan që të grabiste ministrin çek

Grabitja e banesës së ministrit të Financave të Çekisë, Andrej Babis dhe rrëmbimi i djalit të tij, ishte plani i një bande grabitësish, rreth një vit më parë, por që është publikuar së fundmi nga mediat çeke.

Mediat i referohen informacioneve të institucioneve të sigurisë, ndërsa banda e përbërë nga 9 anëtarë, thuhet shumica shqiptarë, tashmë pret të përballet me akuzat në gjykatën e Pragës.

Anëtarët e grupit kriminal u arrestuan në 2014-ën pas infiltrimit të një dedektivi të policisë ceke, i cili ka mundur të parandalojë ngjarjen dhe paralelisht të çojë në arrestimin e personave të dyshuar.

Mediat raportojnë gjithashtu se rezidenca e ministrit çek është një nga shtëpisë e njerëzve më të pasur në Pragë, çka duket se ka qenë arsyeja e hartimit të planit nga ana e grabitësve.

Mësohet se anëtarët e bandës kishin koordinuar planin me një shtetas çek, i konsideruar si bashkëpunëtor i grupit kriminal në realizimin e grabitjes.

Prej muajsh, banda ishte nën monitorimin e policisë çeke pas informacioneve të siguruara se vila e një biznesmeni në Pragë do të grabitej.

Gjatë përgjimit të të dyshuarve dhe infiltrimit të një dedektivi u zbulua se bëhej fjalë për dy plane, grabitjen e vilës së një biznesmeni në Pragë dhe të rezidencës së ministrit Babis.

Banda u tërhoq nga plani, për shkak të masave të larta të sigurisë në vilën e ministrit çek Andrej Babis dhe të familjes së tij.

Pavarësisht kësaj, anëtarët e bandës kishin parë mundësinë e rrëmbimit të fëmijës së ministrit. 

SHKARKO APP