”Bandat po kontrollojnë qytetin”, kryebashkiaku Llatja: S’kam dijeni

Elbasani është kthyer në vendin më të inkriminuar. Kryeprokurori Olsian Çela, foli pikërisht për këtë situatë të paprecedentë të krijuar në këtë qytet. Zyrtari i lartë i Prokurorisë pranoi se qyteti po kontrollohet nga krimi dhe se prokuroria dhe policia nuk mund ta tolerojnë më që ky qytet të përdoret për të larë hesapet mes bandave, prandaj shtoi se ndaj tyre duhet një përgjigje ekzemplare

Gjatë viteve të fundit, një seri atentatesh, përfshi një duzinë vrasjesh ende të pazbardhura mes dy grupeve kriminale e kanë zhytur qytetin e Elbasanit në një situatë të vazhdueshme pasigurie.

I pyetur nga BIRN për situatën e rendit në qytetin që drejton, kryebashkiaku Gledian Llatja u shmang duke thënë se nuk i njihte çështjet e prokurorisë, por tha se bashkia ofronte mbështetje maksimale. “Nuk jam në dijeni të çështjeve të prokurorisë, por e kemi mbështetur dhe kemi një mbështetje maksimale për organet ligjzbatuese, si policinë ashtu edhe prokurorinë”, tha Llatja. Ai po ashtu pretendoi se bashkia kishte programe që “i largonin të rinjtë nga veset”.

Prej disa javësh vendi po përjeton krime të frikshme, çdo ditë vërshojnë plumbat edhe nën sytë e forcave speciale të Policisë së Shtetit. Atentate me eksploziv në limitet e një akti terrorist, ekzekutime mafioze e deri tek vrasje me thikë apo dhe ato për motive banale, kanë bërë që policia ti përgjigjet situatës me postblloqe. Kudo polici, forca speciale, të armatosur deri në dhëmbë që po terrorizojnë qytetarët. Por a tregon ky reagim se kemi një polici të dobët?

Pra një polici që ngrihet në këmbë kur situata i del nga kontrolli dhe bën propogandë? Policia ka qenë në dijeni se 71-vjeçari Lutfi Zhudri ishte tip problematik dhe një rrezik për banorët që jetojnë në pallatin tek lagjja “11 Nëntori” në Elbasan. Letrat drejtuar autoriteve vendore por dhe policisë, si dhe dëshmitë e banorëve tregojnë se shqetësimet e tyre nuk ishin marrë parasysh. Nëse policia nuk shfaqur interes për këtë rast, si do të mundet ajo të luftojë me bandat?

SHKARKO APP