Banka e Shqipërisë: Ekonomia me rënie të thellë

Banka e Shqipërisë, pas përfundimit të vizitës online të Misionit të FMN-së në kuadër të misionit të parë monitorues post-program për Shqipërinë ka ndarë opinionin e saj mbi tre temat që u diskutuan: stadin e zhvillimit të vendit, sfidat që kemi përpara, dhe politikat e masat e nevojshme për adresimin e tyre.

Kryefjala e diskutimeve në fushën e ekonomisë dhe financave ka qenë dhe mbetet ndikimi që pandemia Covid-19 ka pasur në Shqipëri.

Rënia e kërkesës, vështirësitë në qarkullimin e brendshëm e të jashtëm të mallrave dhe njerëzve, si dhe rritja e pasigurisë, janë shoqëruar me rënie të aktivitetit ekonomik dhe kanë sjellë vështirësi financiare për bizneset dhe familjet shqiptare.

Në planin makroekonomik, rënia e aktivitetit ekonomik është pasqyruar në presione të dobëta inflacioniste, në rritje të papunësisë dhe në zgjerim të borxhit të huaj e publik të vendit.

Në planin mikroekonomik, rënia e aktivitetit ka sjellë vështirësi financiare për bizneset dhe familjet shqiptare.

Përballimi i goditjes ka kërkuar një reagim të gjithanshëm të autoriteteve publike, në drejtim të rritjes së stimulit fiskal, monetar e financiar.

Në njoftimin e saj Banka ka raportuar se:

“Si një aktor kryesor në fushën e politikave ekonomike, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë veprimet e mëposhtme:

Në fushën e politikës monetare, ne kemi ulur normën bazë të interesit dhe i kemi ofruar sektorit bankar sasi të pakufizuara likuiditeti, në interes të funksionimit normal të tregjeve të parasë dhe të uljes së kostos së financimit për të gjithë agjentët ekonomikë;-

Në fushën e mbikëqyrjes dhe rregullimit të sektorit bankar, ne:

-Kemi prezantuar stimuj rregullatorë, për të nxitur shtyrjen e pagesës së kësteve të kredisë për klientët në vështirësi të përkohshme dhe ristrukturimin e kredive për klientët në vështirësi më afatgjata;-

-Kemi pezulluar shpërndarjen e dividendit për industrinë bankare gjatë vitit 2020, në interes të përmirësimit të qëndrueshmërisë së bilancit të sektorit bankar.-

Në fushën e sistemeve të pagesave, Banka e Shqipërisë ka marrë masa për uljen e kostos së pagesave elektronike.-

Së fundi, Banka e Shqipërisë ka rritur kapacitetet e saj operacionale për garantimin e furnizimit të ekonomisë me para fizike (cash).-

Së bashku me stimulin fiskal, këto masa kanë pasur një objektiv të dyfishtë:

Së pari, të lehtësojnë koston financiare të goditjes për bizneset dhe familjet shqiptare, duke shmangur falimentimet masive dhe rritjen e fortë të papunësisë; dhe,

Së dyti, të ruajnë ekuilibrat monetarë dhe financiarë të vendit.

Të dy këta objektiva mbeten parakushte të nevojshme për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë ekonomike.

Në gjykimin tonë, masat e marra kanë rezultuar efektive. Duke gjykuar nga ecuria e depozitave në sistemin bankar, bilancet e biznesit dhe të familjeve kanë mbetur likuide.

Po ashtu, tregjet e brendshme financiare shfaqen të qeta, të karakterizuara nga norma të ulëta interesi dhe kurs i qëndrueshëm këmbimi. Sektori bankar ka vijuar të kreditojë bizneset dhe familjet shqiptare.

Ndonëse ky sektor ka përballuar një pjesë jo të vogël të kostos së goditjes, ai vazhdon të ruajë tregues të shëndetshëm likuiditeti e kapitalizimi, si dhe të jetë i aftë të përmbushë funksionin e tij të ndërmjetësit financiar.

Së fundi, sektori publik dhe ekonomia shqiptare kanë ruajtur besimin dhe aksesin në tregjet e brendshme dhe të jashtme financiare.

Këto janë premisa inkurajuese për rikuperimin e aktivitetit ekonomik në të ardhmen.

Në skenarin bazë, ekonomia shqiptare pritet të shënojë një rënie të fortë gjatë vitit 2020. Në pasqyrim të intensitetit të masave të distancimit social, rënia ekonomike pritet të kulmojë në tremujorin e dytë dhe të vijojë gradualisht drejt zbehjes gjatë dy tremujorëve në vijim.

Më tej, në supozimin e një ecurie të favorshme epidemiologjike, ekonomia shqiptare pritet të shënojë rritje dhe të rikuperojë vëllimin e humbur të aktivitetit ekonomik gjatë dy viteve në vijim. Kjo ecuri do të mundësojë dhe rikthimin gradual të inflacionit në objektiv.

Përmbushja e këtij skenari nënkupton vijimin e politikës së akomodimit monetar edhe gjatë vitit në vazhdim, tërheqjen graduale të stimulit fiskal dhe rikthimin e fokusit rregullator në garantimin e shëndetit afatgjatë të sektorit bankar.

Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë vijon të theksojë se balanca e rreziqeve qëndron në kahun e poshtëm.

Këto rreziqe burojnë nga një përkeqësim i mundshëm i situatës epidemiologjike, nga dobësimi i mëtejshëm i situatës ekonomike në partnerët tanë tregtarë, apo dhe nga rritja e pasigurisë në ambientin e brendshëm dhe të huaj.

Banka e Shqipërisë gjykon se materializimi i këtyre skenarëve do të kërkojë rritjen e stimulit makroekonomik.

Formatimi i stimulit monetar duhet të synojë përdorimin e instrumenteve sa më efektive, të orientuara nga një analizë e plotë e kostove dhe përfitimeve të mundshme, në përputhje me zhvillimet e tregut financiar dhe kuadrin ligjor në fuqi.

Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar të vazhdojnë dialogun me tregun financiar, si dhe të gjithë partnerët vendas dhe të huaj, në interes të përmbushjes së misionit dhe objektivave të saj”.

SHKARKO APP