Banka e Shqipërisë: Preken familjet dhe konsumi, sektori bankar në gjendje të mirë
Në raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2019, Banka e Shqipërisë i ka kushtuar vëmendje edhe një vlerësimi mbi ndikimin e pandemisë Covid-19 në ekonomi. Sipas Bankës së Shqipërisë, kriza e coronavirusit do të godasë ekonominë e familjeve shqiptare, duke ulur konsumin e shkaktuar vështirësi në shlyerjen e pagesave dhe kredive. Banka qendrore argumenton se efektet do të ndihen në një reaksion zinxhir, nga biznesi tek të punësuarit e më pas tek sjellja e tyre në treg apo edhe ndaj palëve të treta.
Duke evidentuar masat e ndërmarra deri më tani, Banka e Shqipërisë thekson se është e nevojshme që, për aq sa është e mundur, autoritetet publike të ndërmarrin veprime të shpejta dhe të rëndësishme për të ndërprerë për të mbështetur ndërmarrjet, familjet dhe sistemin financiar në zbutjen dhe përballimin e efekteve negative.
Në raport thuhet gjithashtu se pandemia e ka gjetur sistemin financiar dhe sektorin bankar në një gjendje shumë të mirë e cila do t’i lejojë kësaj të fundit të përthithë goditjet e mundshme nga efektet që pandemia do të ketë mbi ekonominë e vendit. Sipas Bankës së Shqipërisë, sistemi bankar duhet të vlerësojë goditjet eventuale, jo vetëm në afatshkurtër, por edhe në një afat më të gjatë dhe nevojitet që të përmirësohet më tej gjendja e rezervave të kapitalit dhe të likuiditetit, për t’i paraprirë çdo lloj situate.