Banorët e Bërxullës edhe këtë të dielë dalin në protestë: Nuk do lejojmë punimet pa u plotësuar 3 kushtet
Këtë të dielë banorët e Bërxullës janë ngritur në protestë ku kundërshtojnë devijimin e rrugës Thumanë-Kashar, duke argumentuar se shteti më parë duhet të bëjë kompensimin e tokave dhe pronave të tyre në vlerën e tregut.
Banorët shprehen të vendosur se nuk do të lejojnë që projekti të vazhdojë nëse shteti nuk u plotëson tre kushtet e tyre, certifikimin e pronave që kanë, kompensimin me vlerën e tregut dhe informacion mbi projektin e miratuar për t’u zhvilluar.
Një prej banorëve tha nëse shteti do t’i kompensonte ata me vlerën e tregut për pronën e tyre, atëherë nuk do të kishte asnjë lloj revolte dhe asnjë përplasje me policinë.
“Ose na sistemoni ku të jetë mundësia, ka toka në shtet plot. Ndajini banorëve të fshatit Bërxullë dhe nuk na dëgjohet zëri, nuk do ketë asnjë lloj përplasje. Punimet e koncesionarit kanë vazhduar me ritme të larta sepse është kap çfarë të kapësh. Vetëm aty ku kemi ngritur zërin, kanë ndaluar sepse nuk kanë asnjë lloj leje ndërtimi”,-u shpreh një tjetër banor.