Banorët e Bërxullës në protestë, bllokojnë njërin kah të rrugës së Rinasit: Një vjedhje galopante

Banorët e Bërxullës prej më shumë se 7 muajsh protestojnë për të përfituar shpronësime në vlerën e tregut për pronat e tyre që preken nga projekti i rrugës Thumanë-Kashar, kanë dalë edhe sot në protestë duke bllokuar njërin kah të rrugës së Rinasit.

Pavarësisht se morën një premtim nga drejtori i Kadastrës për zonën Kamzë-Vorë se pronate tyre do certifikohen, ata kërkojnë një vlerësim të banesave me vlerën e tregut si dhe duan që shteti t’u gjejë tokën ku do stabilizohen.

Banorët u shprehën edhe ditën e sotme se nuk do të heqin dorë nga kërkesa e tyre duke u shtuar se shteti po hesht sepse po kryhet vjedhje ndaj tyre.

“Heshtin se e dinë që na takon dëmshpërblimi dhe rruga dytësore. Heshtja tregon vjedhje, shtet diktatorial. Kjo është vjedhje galopante, shpiku Edi Rama koncesion vetëm për të vjedhur popullin”- u shpreh njëri prej banorëve.

Një tjetër banor u shpreh i vendosur për të mos u tërhequr nga protesta dhe tha se nuk do të lejojë askënd t’i shembë shtëpinë nëse nuk i jepet dëshmpërblimi sipas vlerës së tregut.

SHKARKO APP