Banorët e disa fshatrave në Dimal jetojnë si në Mesjetë: S’ka rrugë, të sëmurët i çojmë në spital me gomar
Fshatrat Allambrez dhe Çetë në Bashkinë e Dimalit prej vitesh kanë mbetur në izolim. Rruga rurale me gjatësi afro 1 km kalohet vetem me gomar, ose në këmbë. Në këto fshatra jetojnë 350 familje, por ndër vite nuk kanë marrë asnjë investim nga bashkia, vetëm premtime elektorale.
Mungesa e rrugës ka çuar zonën drejt shpopullimit. Banorët shprehen se të rinjtë kanë emigruar ndërsa ata që kanë mbetur punojnë në pemtari e bujqësi. Prodhojnë ullinj e qershi por nuk i nxjerrin dot në treg për mungesë të infrastrukturës.
Rruga është pothuajse e pakalueshme, me gropa të thella e baltë. Banorët na tregojnë se ecin 2 orë në këmbë për të mbërritur në qytet, ndërsa të sëmurët detyrohen ti transportojnë me gomar.
Banorët ankohen dhe për nxënësit, të cilët gjatë dimrit ecin dy orë në këmbë për të mbërritur në shkollë. Ata kërkojnë nga Bashkia e Dimalit, sistemin dhe shtrimin e rrugës me gjatësi 1 km.