Banorët e Dukagjinit në protestë, deputeti i PS-së Beci: Mbështes kërkesën e tyre

Banorët e Dukagjinit janë ngritur sërish në protestë këtë të dielë. Me thirrjen “Dukagjini kërkon rrugën”, banorët kërkojnë kërkojnë asfaltimin e rrugës që lidh Shkodrën me njësitë vendore Pult, Shosh dhe Shalë. Kjo protestë ka pasur edhe një simbolikë të veçantë, ajo është mbajtur në 16 vjetorin e aksidentit tragjik në Kir të Dukagjinit, ku humbën jetën 10 persona në 12 Mars të vitit 2007.

Deputeti i PS-së, Benet Beci shpreh mbështetjen për banorët e Dukagjinit të cilët protestuan për ndëërtimin e rrugës që i lidh me Shkodrën. Në një postim në Facebook, deputeti Beci shkruan se do ta firmosë edhe peticionin që do t’i dërgohet autoriteteve.

“Sot në Shkodër po mbahet protesta e dytë për rrugën e Dukagjinit nga komuniteti i zonës. Siç e kam deklaruar publikisht edhe në protestën e parë, jam plotësisht dakord me protestën dhe e mbështes kërkesën e tyre të drejtë për ndërtimin e rrugës.

Do ta firmos patjetër edhe peticionin drejtuar autoriteteve për ndërtimin e rrugës. Angazhohem që projektin e hartuar të rrugës ta bëjmë publik në një takim të hapur me të gjithë të interesuarit në momentin më të parë së bashku me inxhinierët dhe agjencitë qeveritare që kanë përgatitur projektin. Hapi tjetër duhet të jetë akordimi i fondeve për fillimin e këtij investimi madhor.

Njëkohësisht u bëj thirrje autoriteteve vendore të bashkisë Shkodër si institucioni përgjegjës për rrugën, të mos fshihen pas shkresave të vagullta e të keqadresuara, por të marrin menjëherë masa për mirëmbajtjen e rrugës para sezonit pranveror, në të kundërt t’i kërkojnë qeverisë heqjen e rrugës nga inventari i saj dhe kalimin në inventarin e ARRSH-së si rruga Han i Hotit-Tamarë-Vermosh apo rruga Koplik-Bogë-Theth të cilat janë qartësisht të mirëmbajtura gjatë gjithë vitit”, shkruan Benet Beci.

SHKARKO APP