Banorët e fshatit Kurdari dalin në protestë, akuzojnë firmën që kërkon të ndërtojë hidrocentralin me kërcënime

Një përplasje është shënuar mes banorëve të fshatit Kurdari dhe përfaqësuesve të kompanisë ndërtuese të hidrocentralit “Doma”. Konflikti shkoi në përplasje fizike, duke detyruar ndërhyrjen e punonjësve të Policisë për të qetësuar situatën. Sipas banorëve, këtë herë në zonë kanë ardhur disa persona të panjohur për komunitetin, të cilët kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj tyre. Ata pretendojnë se këta individë ishin të lidhur me kompaninë ndërtuese dhe ishin sjellë në fshat për t’i frikësuar dhe për t’i detyruar të lejojnë rifillimin e punimeve. Banorët shkuan para Komisariatit të Policisë Mat, ku zhvilluan një protestë duke kërkuar hetim për përfshirjen e elementëve kriminalë nga ana e kompanisë për të ushtruar trysni ndaj komunitetit.

Banorët kanë deklaruar vazhdimisht se ndërhyrjet e tyre janë paqësore dhe se synimi i vetëm është ndalimi i punimeve deri në zgjidhjen e çështjes në rrugë ligjore. Ata pretendojnë se projekti është miratuar pa konsultim të rregullt publik dhe pa përfshirjen e komunitetit, siç e parashikon ligji. Sipas tyre, ndërtimi i hidrocentralit rrezikon burimet ujore që përdoren për vaditje dhe furnizim me ujë, duke vënë në rrezik tokat bujqësore, pemtarinë dhe blegtorinë, të cilat janë burimi kryesor i të ardhurave për familjet e zonës.

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë ka rrëzuar padinë e banorëve kundër projektit, duke lënë në fuqi lejet e ndërtimit. Çështja aktualisht ndodhet në Gjykatën e Apelit, ndërsa banorët kanë paralajmëruar se do të vijojnë kundërshtimin dhe nuk do të lejojnë rifillimin e punimeve. Tensionet janë shoqëruar me bllokime të mjeteve të kompanisë, shoqërime në polici dhe procedime penale ndaj disa banorëve. Banorët deklarojnë se do të vazhdojnë rezistencën dhe kërkojnë hetim për incidentin e sotëm dhe për çdo përpjekje për t’i trysnuar përmes dhunës apo kërcënimeve.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?