Banorët e Zvërnecit flasin për “Plazhin e Vdekjes”
Katër persona kanë humbur jetën deri më tani në plazhin e Porto Novës në fshatin Zvërnec të Vlorës.
Viktimat e fundit ishte një vazjë e mitur 10 vjeçare e cila u mbyt këtë të mërkurë teksa lahej në det së bashku me kushërirën e saj, edhe ajo po ashtu e mitur.
Por kjo zonë e plazhit është e njohur për rrymat e saj detare, e për këtë problem vetë banorët shprehen se rreziku është tepër i lartë. Pavarësisht se plazhi në fjalë është i një bukurie të rrallë, rreziku se mund të mbytesh e bën këtë zonë një objekt të dëshiruar të cilin nuk të lejohet ta prekësh.
“Ai është një bregdet shumë i bukur, por njerëzit nuk janë asnjëherë të informuar për rrezikshmërinë që ka. Aty ka shumë rryma”, thotë Geron Moçka, banor në Zvërnec.
“Kam rastisur 3 vite kur këtu janë mbytur njerëz”, thotë një tjetër pushues për Top Channel.
“Aty ka rryma ujore. Uji godet në shkëmb dhe kthimi i menjëhershëm. Edhe ne si banorë na ka ndodhur. Këtu mund të jenë mbytur rreth 30-40 veta ndër vite. Duhet të vendoset patjetër një tabelë informuese”, shprehet Filip Balli, banor në Zvërnec, për TCH.
Banorët dhe pushuesit i kanë bërë thirrje institucioneve përkatëse që të vendosin tabela sinjalizuese në këtë zonë të rrezikshme, që ky plazh të mos marrë më jetë njerëzish, siç ndodh çdo vit.

