Bardhi dhe Balliu përjashtohen me 60 ditë, Tabaku: Vendim i papranueshëm. PD ikën nga Konferenca e Kryetarëve
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku e ka cilësuar të papranueshëm vendimin e Komisionit të Etikës për përjashtimin me 60 ditë nga punimet e Kuvendit të Gazment Bardhit dhe Klevis Balliut. Gjatë fjalës së saj në Konferencën e Kryetarëve, Tabaku deklaroi se masa e marrë ndaj dy deputetëve është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, duke theksuar se një përjashtim i tillë parashikohet vetëm në raste të caktuara.
”Vendimi për përjashtimin e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, dhe deputetit Balliu, i papranueshëm dhe në shkelje të Rregullores”, u shpreh Tabaku. Ajo kritikoi mënyrën se si është zbatuar rregullorja parlamentare, duke deklaruar se vendimi i Komisionit të Etikës nuk reflekton respektimin e dispozitave në fuqi. ”Përjashtimi për 60 ditë është i përcaktuar qartë në Rregullore dhe zbatohet vetëm në raste të caktuara”, tha deputetja demokrate.
Bardhi dhe Balliu u përjashtuan pas incidentit në seancën plenare ku u votua reforma territoriale, gjatë së cilës u hodhën shishe uji dhe vezë në drejtim të kryeministrit Edi Rama. Përveç kundërshtimit të vendimit të Etikës, Tabaku shprehu rezerva edhe për ndryshimet e propozuara në programin e punës dhe kalendarin parlamentar. Sipas saj, Kuvendi ka një ngarkesë të konsiderueshme me projektligje, interpelanca dhe shqyrtimin e buxhetit.
”Nuk është se kemi pak projektligje. Interpelancat janë parashikuar, ndërsa buxheti do të vijë për shqyrtim. Për këtë arsye, ne jemi kundër propozimit për ndryshimin e tyre”, deklaroi ajo. Në përfundim, Tabaku kërkoi që puna parlamentare të përqendrohet te çështjet e mbetura pezull dhe te zbatimi i kalendarit ekzistues. Pas debatave, PD iku nga Konferenca e Kryetarëve.

