Bardhi i përgjigjet Ramës për Reformën Zgjedhore: Tregon mendësinë e rrezikshme për të mbajtur pushtetin
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar menjëherë pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama gjatë konferencës së sotme. Bardhi tha se Rama nuk ka interes të bëjë asnjë reformë që u shërben qytetarëve shqiptarëve.
“Edi Rama nuk ka interes të bëjë asnjë reformë që i shërben qytetarëve shqiptarëve. Pohimi në publik se po djeg me vetëdije Komisionin e Reformës Zgjedhore që të mos u japë shqiptarëve një reformë konsensuale dhe gjithëpërfshirëse që garanton standartet minimale për zgjedhje të lira dhe të ndershme, tregon edhe njëherë mendësinë e rrezikshme antidemokratike që ka Kryeministri i Shqipërisë për të mbajtur pushtetin me mjete antidemokratike.
Deklaratat e sotme të Edi Ramës provojnë edhe njëherë sesa e drejtë është beteja e opozitës në Kuvend. Shqipëria ka nevojë për një Reformë Zgjedhore reale, konsensuale dhe gjithëpërfshirëse që adreson të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe që krijon kushtet e barabarta të garës reale për çdo palë politike në zgjedhje”, tha Bardhi.