Bardhi: Kryeministri po zvarrit çështjen Balluku
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi sot lidhur me qëndrimet e Kryeministrit Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste për çështjen Balluku.
Bardhi e cilësoi qëndrimin e kryeministrit si zvarritje të procesit, duke iu referuar vendimit të Ramës për t’u shprehur mbi çështjen Balluku vetëm pasi të publikohet raporti i Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve në Kuvend mbi pranimin ose jo të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Aktualisht, me vendim të Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), Balluku ndodhet e pezulluar nga pozicioni i zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa SPAK ka kërkuar shtrëngimin e masës së sigurisë.
Sipas Bardhit, kryeministrit “nuk i mjaftuan dy muaj zvarritje, por tani kërkon edhe dy javë të tjera për gjoja një raport të deputetëve të vet, për të cilin urdhrin do ta japë po vetë.
Duke iu referuar akuzave të SPAK ndaj Ballukut, Bardhi shkruan: “Janë 11 tenderë me vlerë 1.1 miliardë euro, të firmosura nga Belinda Balluku, me urdhër apo dijeni të Edi Ramës. Një pjesë janë projekte publike që sot po shemben dhe po bllokojnë qytetarët kudo në vend. Janë 16 mijë faqe prova që faktojnë korrupsionin e qeverisë dhe administratës së lartë të Edi Ramës. Janë mjaftueshëm përgjime që dokumentojnë shantazhin mafioz ndaj dëshmitarëve, përmes të fortëve, parave të pista dhe presionit ndaj familjeve. Pra, pse kërkon të blejë akoma kohë Edi Rama? Pse sulmon drejtësinë? Pse pengon drejtësinë? Nuk bëhet më fjalë thjesht për Belinda Ballukun. Në lojë është personalisht Edi Rama. Rolin e tij në vendimet për tenderat e kemi parë e zeza mbi të bardhë në dosjen antikorrupsion të SPAK-ut”, tha Bardhi.
KOHA JONË SONDAZH

