Bardhi, mazhorancës: E keni kthyer Kuvendin në bunker të zyrtarëve të korruptuar
Kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi në fillim të seancës plenare kërkoi nga kryetari i Kuvendit mbledhjen e Këshillit të Imunitetit për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Bardhi thotë se Kuvendi është kthyer në mburojë të zyrtarëve të korruptuar.
“Duhet të jetë vetëm 1 pikë që ju keni 2 muaj që e mbani zvarrë, duke e kthyer Kuvendin në bunker të zyrtarëve të korruptuar. Për 2 muaj i mbushët kokën shqiptarëve që një zëvendëskryeministre nuk mund të pezullohet se gëzon imunitetin e deputetes. Morëm përgjigje nga Gjykata Kushtetuese se pezullimi nga detyra nuk hyn në çështjen e imunitetit. Pas Gjykatës Kushtetuese nxorët një tjetër justifikim: do të presim të zbardhet vendimi. Jeni bërë pengesë për hetimin. Nuk duhet të bëhemi hipokritë kur ky Kuvend ka dështuar të përmbushë funksionin kushtetues në interes të qytetarëve. Deri në atë moment, ky Kuvend nuk mund të funksionojë normalisht, as sikur kjo çështje nuk është këtu. Jemi i vetmi vend në botë që miratoni ligj për të mbrojtur veten. Kreu i Komisionit të Jashtëm të PE e quajti test kritik për luftën kundër korrupsionit. Ose do ta luftojmë korrupsionin, ose do ta ktheni Kuvendin në bunker për të mbrojtur korrupsionin. Lejoni që ky Kuvend të përmbushë në kohë misionin kushtetues”, tha Bardhi.
KOHA JONË SONDAZH

