Bardhyl Gjyzeli, modeli i suksesit të bazuar në gjurmët pozitive të lëna në komunitet
Shkruar nga: Kejsi Demiraj
Në qytetin e Kuçovës, aty ku historia e Shqipërisë industriale ka lënë gjurmët më të thella, u formua personaliteti i Bardhyl Gjyzelit, një nga figurat që ka lidhur jetën e tij me qytetin, industrinë dhe politikën vendore. Rrugëtimi i tij jetësor tregon qartë se si edukata familjare, përkushtimi ndaj punës dhe lidhja e ngushtë me komunitetin mund të formësojnë një jetë të tërë në shërbim të shoqërisë.
“Unë jam rritur në qytetin e Kuçovës, si gjithë moshatarët e asaj kohe me jetën normale të qytetit tonë, që me funksionet që kishte, ishte një qytet naftëtar, industrial,” kujton Bardhyli. Atmosfera e qytetit, ku çdo familje kishte lidhje me industrinë e naftës, ndikoi fuqishëm në formimin e tij. Prindërit e tij ishin punonjës të këtij sektori dhe kjo përcolli natyrshëm një frymë përkushtimi ndaj punës.
Ai rrëfen se për fëmijët e asaj kohe, mundësitë ishin më të kufizuara krahasuar me realitetin e sotëm. Infrastruktura dhe logjistika mungonin, por ekzistonte një hapësirë e veçantë për kreativitet dhe mësim: Pallati i Pionierit. “Ne angazhoheshim aty, secili sipas dëshirës dhe tendencës për të mësuar diçka. Pas mësimeve, kalonim orë të tëra duke ushtruar aktivitete që na ndihmonin në zhvillimin personal.”
Pas shkollës 8-vjeçare, Bardhyli vendosi të largohej nga qyteti për të ndjekur Shkollën e Mesme Teknologjike për Tekstile në Tiranë, një shkollë katërvjeçare që i dha bazat e para profesionale. Menjëherë pas përfundimit, nisi punë në Kombinatin e Tekstileve në Berat. Pikërisht aty, në gushtin e parë si punonjës, u përball me një zgjedhje vendimtare.
“Fati im i mirë ishte drejtoria e Kombinatit, njerëz shumë të përgatitur, që më këshilluan: Bardhi, mos shko në Tiranë sepse do hapet filiali këtu në Berat.” Ky këshillim e drejtoi drejt një vendimi të mençur. Krahas punës në Kombinat, Bardhyli ndoqi studimet e larta. Kështu, teoria dhe praktika u ndërthurën në mënyrë ideale. “Teoria është bazë e njohjes, ndërsa praktika është kriteri i së vërtetës,” thotë ai.
Kombinati dhe drejtuesit e tij mbeten për të një shkollë më vete. “Unë ia dedikoj stafit të drejtorisë së Kombinatit formimin tim, që mora një rrugë të drejtë dhe u bëra i aftë për të kontribuar denjësisht në shoqëri.” Nga Kombinati i Tekstileve, Bardhyli u emërua shef plani në ndërmarrjen ushqimore të Beratit, një detyrë që e kreu me përkushtim për tre vjet. Më pas u rikthye në Kuçovë si ekonomist dhe në fund të viteve ‘80 e në fillim të viteve ‘90 mori drejtimin e tregtisë së qytetit. Periudha e ndryshimeve të mëdha shoqërore solli edhe ndërprerje në karrierën e tij, ku për një kohë u mor me aktivitete private.
Në vitin 1998 nisi punë në Uzinën Mekanike të Naftës, fillimisht si shef i planit, dhe në vitin 2000 u bë drejtor i saj deri në vitin 2005. Ky kapitull i dha mundësi të kuptonte më thellë marrëdhëniet e punës. “Unë kam pasur gjithmonë një marrëdhënie të drejtë e korrekte me punëtorët, gjë që më ka dhënë fatin që aktivitetet që unë drejtova të mos ishin vetëm me detyra të realizuara, por edhe me progres të dukshëm.”
Bindjet e majta e shtynë Bardhylin drejt Partisë Socialiste, ku angazhimi i tij ishte maksimal. Mori pjesë në fushata, drejtoi komisione zgjedhore dhe shërbeu si kryetar i këshillit rajonal. Përkushtimi i tij nuk kaloi pa u vënë re. Në vitin 2011, strukturat e partisë e propozuan si kandidat për kryetar bashkie të Kuçovës.
“Nuk ishte kërkesë imja, por më erdhi si propozim. Ishin disa kandidatura, por ata zgjodhën emrin tim.” Në atë garë të fortë, përballë tij ishte kandidati i koalicionit PD-LSI, Selfo Kapllani. “Ishte një garë shumë e vështirë për mua, por fitova falë gjurmëve që kisha lënë në komunitet. Qytetarët më besuan sepse e dinin se kontributi im ishte i sinqertë.”
Gjatë mandatit të tij dyvjeçar, Bardhyli e vendosi marrëdhënien me komunitetin si prioritet. “Pika numër një e vlerësimit të stafit ishte marrëdhënia me komunitetin. E kam vendosur këtë si kriter themelor.” Ndër arritjet e tij më të rëndësishme ishin hapësirat e gjelbra. “Qyteti ynë sot është një nga qytetet me më shumë gjelbërim për frymë banori. Ne mbollëm mijëra pemë, përmirësuam lulishtet dhe pastruam kanalet.” Urbanistika, ndriçimi dhe pastrimi ishin gjithashtu ndër projektet e realizuara në atë periudhë të shkurtër.
Pas përfundimit të mandatit, investimet në qytet u shtuan ndjeshëm falë pushtetit të ri vendor. Megjithatë, Bardhyli është i bindur se puna për komunitetin nuk përfundon kurrë. “Komuniteti kërkon gjithmonë më shumë, dhe kush mendon se i ka përmbushur të gjitha, gjykon jo korrekt. Gjithmonë ka vend për më mirë.”
Për të, politika mbetet një instrument i domosdoshëm për zhvillimin. “Këshilla ime është që të rinjtë të angazhohen. Politika sjell zhvillim, përmes saj shoqëria progreson. Brezi i sotëm është më i zgjuar, sjell frymë të re. Duhet të krijohen parti të reja, të pastra, me vizion për të ardhmen.”
Bardhyli e pranon se puna dhe familja kanë ecur paralelisht, por gjithmonë kanë qenë mbështetje për njëra-tjetrën. “Familja ka qenë mbështetja ime kryesore, por edhe unë kam dhënë kontributin tim siç duhej. Ka qenë një marrëdhënie reciproke.”
Jeta dhe karriera e Bardhyl Gjyzeli është një histori e ndërtuar mbi themelet e punës, ndershmërisë dhe marrëdhënies së ngushtë me njerëzit. “Ne duhet të jemi të denjë për veten dhe familjen tonë, dhe më pas për shoqërinë. Vetëm kështu lëmë gjurmë,” thotë ai.
KOHA JONË SONDAZH

