Barnat e rimbursueshme, hyn në fuqi lista e re
Lista e Barnave të Rimbursueshme 2016, e cila ka hyrë në fuqi që nga dita e djeshme (1 qershori) ka sjellë në tregun e barnave për pacientët në nevojë një listë më të gjatë të barnave alternative të para.
Sipas të dhënave të bëra publike nga FSDKSH, lista e re e barnave të rimbursueshme e vitit 2016 përmban 1118 barna alternative tregtare, nga të cilat 539 barna alternative të para nga 490 që përmbante lista e vitit 2015.
“Këto barna përmirësojnë dhe zgjerojnë trajtimin e pacientëve në shërbime si: Onkologjik, Gastro-hepatologji, Pneumologji, Reumatologji, Infektiv, në terapinë kardiake, Parkinson, Diabet, Psoriaz, Dislipidemi si dhe sëmundjeve të gjakut etj”- pohon FSDKSH.
Nga ana tjetër, një ndryshim në listën e këtij viti vihet re në çmimet e miratuara, të cilat janë me një ulje prej rreth 6.9 përqind në krahasim me çmimet e aplikuara në vitin 2015
FSDKSH bën të ditur se gjithashtu është rritur edhe buxheti i akorduar për shpenzimet e rimbursimit në raport me vitin 2015, duke arritur shifrat e 9 miliardë lekë.
Sa i përket përfituesve, lista nuk sjell ndryshime, por vijojnë të jenë si më parë. Kategoritë që përfitojnë barna me rimbursim në masën 50 deri në 100 përqind do të jenë grupe të tilla shoqërore si pensionistë, invalid të plotë, fëmijë 0-12 muaj, të sëmurët tumoral, tuberkuloz, të verbërit, jetimët etj.
KOHA JONË SONDAZH

