Barnat që do rimbursohen, mjekja Diko tregon listën e plotë
Vendimi i qeverisë ”Rama 2”, për rimbursimin e barnave për pacientët me Covid-19 që trajtohen në kushte ambulatore, do t’i vijë në ndihmë familjeve shqiptare. Kështu shprehen mjekët e familjes të cilët ndjekin mbi 14 mijë rastet aktive që janë në vendin tonë. Drejtoresha e Qendrës Shëndetësore nr.10, Jonida Diko tregon dy stadet që ndiqen nga mjekët e familjes dhe barnat që përfshihen në trajtim.
”Në stadin e parë ose në formën e lehtë medikamentet ose elementët trajtues që përdoren janë vitamina C, vitamina D, elementi Zink dhe paracetamoli. Kjo futet te skema e parë tek forma e lehtë. Tek skema e dytë trajtimi bëhet me vitaminë C, vitaminë D me elementin Zink, me paracetamolin 500 mg dhe nëse ka temperaturë persistente, ka dhe shenja respiratore, mjeku i familjes vlerëson gjendjen e tij dhe mund ti vendosë dhe antibiotikë, Azitromicinën 500 mg”,-tha Diko.
Është shumë rëndësishme shpjegon mjekja Diko që qytetarët të dinë që trajtimi me oksigjen nuk lejohet në kushtet e shtëpisë. ”Trajtimi me oksigjen nuk është i lejueshëm të bëhet në kushte shtëpie ne nuk ja u sugjerojmë asnjë pacienti. Nëse saturimi i gjakut ulet poshtë 93% dhe frekuenca kardiake rritet mbi 30 në minutë ne e drejtojmë pacientit tek strukturat e specializuara e drejtojme tek 127 dhe ai merr shërbim të hospitalizuar. Ne ju bëjmë thirrje të gjithë pacientëve mos të komunikojnë me anë të recetave që qarkullojnë në Whatsapp, me anë të recetave që kanë kaluar familjarët e tyre, me receta që qarkullojnë nëpër farmaci”,-tha ajo për ”Report Tv”.