Barometri: Emigrimi problem kryesor i vendit, bie korrupsioni si shqetësim

Problemet kryesore të vendit, kanë qenë në fokus të Barometrit të fundit në Euronews Albania. Mes 15 problemeve kryesore të vendit në krye të tyre sot për shqiptarët janë emigrimi ( 54.8%), çmimet e larta (42.1 %), kostoja e jetesës (36.2 %) dhe papunësia (34.3 %). Më pas i renditur i 5-ti në rëndësi është korrupsioni (26.9%), niveli i kriminalitetit në vend (17.5%), shëndetësia (15.6 %), edukimi /arsimi (11%) dhe plakja e popullsisë (9.8 %).

Në grupin e fundit të problemeve të vendit sot shqiptarët rendisin pensionet (8.7%), sistemin e drejtësisë (5.5%), taksimin (4.9 %), cilësinë e demokracisë ( 2.2 %), drogën (2 %) dhe mjedisin (1.2 %).

Ajo që bie në sy duke analizuar të dhënat e mëparshme në matjet e Barometrit me ato të fundit është lëvizja në renditje e problemeve për qytetarët. Në vitin 2021 grupi kryesor i problemeve ishin ekonomia (53.1 %), papunësia (49.2 %) dhe korrupsioni (46.5%). Sot korrupsioni është zhvendosur në renditje nga rëndësia (26.9%) dhe i ka lënë vendin emigrimit (54.8 %), pasuar nga çmimet e larta (42.1 %) dhe kostoja e jetesës ( 36.2 %).

Sa i përket problemeve të vendit sot, shqiptarët kanë një diferencë të ndikuar nga qasja e tyre politike për disa prej tyre. Për emigrimin janë më shumë votues të opozitës ata që e vlerësojnë si problem madhor ( 57.3 %) në krahasim me ata që janë votues të Partisë Socialiste ( 55.2 %). Diferenca më e madhe mes vlerësimeve të tyre është për korrupsionin si problem.

Matjet tregojnë se (37.6%) e atyre që vlerësojnë si problem në vend korrupsionin janë votues të Partisë Demokratike dhe (19.2 %) e atyre që e vlerësojnë si problem korrupsionin janë votues të Partisë Socialiste. Për problemet e tjera votuesit socialistë dhe demokratë janë shumë të ngjashëm në vlerësimin e tyre si të tilla.

SHKARKO APP