Basha dhe demokratët!
Dështimet radhazi dhe humbjet e shumta kanë injektuar në gjuhën e Bashës retorikë propagandistike që ngjan edhe si mashtruese. Duke e veshur me populizëm fals dhe shprehje ekzaltuese, përpiqet të sugjestionojë demokratët dhe të krijojë tek ata alibi masive, që ka për qëllim t’u fusë trutë e gomarit. Kështu më ngjan deri tani fushata e Bashës për të mbajtur kreun e Partisë Demokratike. Thënë më troç, gjuhë që na kujton udhëheqësit e dikurshëm dhe më të këqij, gjuhën enveriane, që çdo lloj dështimi e trajtonte si fitore dhe çdo lloj humbje si ngadhënjim.
Z. Basha është drejtues i Partisë Demokratike që është mbështetur më shumë se çdo drejtues tjetër nga demokratët. Është mbështetur edhe kur nuk ka kërkuar ndjesë. Mjafton të kujtojmë 9 (nëntë) protestat kombëtare, mbas djegies së mandateve. Kjo më shumë se demokratët u ndërgjegjësuan nga mbështetja dhe përkrahja e madhe që i dha paraardhësi i tij, lideri ynë historik dhe shpirtëror, dr. Berisha, se sa nga besimi që krijonte vetë Z. Basha. Prandaj kjo zemërgjerësi e shpirtmadhësi e demokratëve duhej të ishte shpërblyer dhe duhet të shpërblehet me më shumë sinqeritet nga z. Basha dhe me më shumë respekt për demokratët.
Përveç sakrificës së madhe dhe të rrezikshme të deputetëve demokratë, të cilët rrezikuan edhe marrëdhëniet me zgjedhësit e tyre gjatë këtyre viteve, nuk dimë lëvizje tjetër të Bashës, përjashto edhe lëvizjen për dekriminalizimin, që ka shkuar në dobi dhe në favor të demokratëve dhe të shqiptarëve, duke filluar nga mospjesëmarrja në Reformën Territoriale e deri tek beteja elektorale e 25 prillit, e cila është më e justifikuara për Bashën, por që fatkeqësisht u kurorëzua me humbje!
Mendoj se Basha pa i qartësuar dhe shpjeguar sinqerisht këto në takimet e tij, nuk ka të drejtë të kërkojë mandatin e tretë.
Të qartësojë dhe t’ju tregojë demokratëve qëllimet për marrjen e këtyre vendimeve, se kujt i shërbyen më shumë këto vendime dhe se në çfarë rrethanash i mori këto vendime.
Një lider shquhet, çmohet dhe bëhet i besueshëm për konsistencën dhe mbajtjen e fjalës.
Pse për vendimet që ka marrë dhe merr, tërhiqet dhe nuk insiston deri në fund?! Tani edhe sikur të dojë Basha ta bëjë një gjë të tillë duket e pamundur, mbasi fushata është planifikuar dhe vijon jo në rrjedha normale të zgjedhjeve në Partinë Demokratike.
Deklarata e Bashës se ata demokratë që besojnë se beteja e 25 prillit ka mbaruar, janë mendjelehtë dhe shpirt-trubulluar, është sa e papërgjegjshme dhe fyese, kur rezultati është konfirmuar dhe institucionet ligjore të krijuara edhe me vullnetin e Partisë Demokratike, por i vlerësojmë si të mirëqena.
Në traditën e Partisë Demokratike, të sanksionuara edhe në statutin e saj, kanë qenë analizat, evidentimi i përgjegjësive, dobësive, rezultateve, si dhe vlerësimet e mosvlerësimet që nga seksionet, grup-seksionet, nën-degët, degët e Partisë Demokratike, dhe deri te Kryesia qendrore e Këshillit Kombëtar. Pse u anashkalua një gjë e tillë, kur edhe statuti jepte kohë dhe mundësi të mjaftueshme deri më 22 Korrik, që ishte afati i fundit për zgjedhjen e kryetarit?!
Pse u injoruan mendimet, tezat dhe idetë e z. Nishani, jo vetëm si kryetar i Këshillit Kombëtar, por edhe si një nga burrat dhe demokratët që i ka shërbyer besnikërisht, ndershmërisht e me devotshmëri Partisë Demokratike.
Z. Basha duhet ta dijë se gjatë drejtimit të tij në Partinë Demokratike është shfaqur dukshëm informaliteti, se zgjedhjet nëpër seksione, grup-seksione e më lart, janë bërë pa kuorumin e duhur, se në drejtimin e tyre janë lënë njerëz që kanë 20 vjet që i drejtojnë dhe se në drejtimin e degëve të Partisë Demokratike dhe kryesitë e tyre ka akoma dhe jo pak ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.
Meqë e cituam më lart z. Nishani pa u lëkundur në konsideratat që kemi për të, më vjen keq që e shikoj në krahun e ndonjërit që në vitin e zi 1997 i kanë vënë pushkën Partisë Demokratike dhe që në fushatën e zgjedhjeve po të atij viti, Partisë Demokratike i kanë prerë rrugët për në jugun e vendit, dhe që për interesat e tyre kanë bashkëjetuar politikisht me të majtën dhe kanë ushtruar detyra deri në funksionin e ministrit. Me ata nuk mund të jesh “Për Partinë Demokratike”.
Për shumë nga këto që thamë, nganjëherë pyes veten: A mos edhe Këshilli Kombëtar po shndërrohet në një subjekt I autoritetit të Kryetarit dhe I vendimmarrjes së tij?
Pyes përsëri: Ku është prof. Mark Marku? Prof. Agroni? Z. Alizoti, e shumë të tjerë, që shquhen dhe janë shquar për indipendencën e tyre. Nuk duam të besojmë se karrigia e deputetit i ka bërë të heshtur.
Tek Partia Demokratike janë promovuar personalitete të mëdha kombëtare që i kanë shërbyer jo vetëm Partisë Demokratike, por edhe çështjes kombëtare e ndërtimit të Shqipërisë së re.
Ata, të cilët udhëhoqën për realizimin e kauzave të mëdha, disa prej të cilëve nuk janë më, disa larguar për arsye objektive na duken si të pazëvendësueshëm, por jo.
Asnjëherë Partia Demokratike nuk ka pasur krizë personalitetesh. Po kur ata selektohen për shkaqe subjektive dhe jo bazuar në kritere të forta e meritokraci, sikur nuk të entuziasmojnë e as nuk të krijojnë optimizëm. Mendojmë se më të spikaturit gjenden brenda grupit parlamentar të Partisë Demokratike, si prof. Agron Gjekmarkaj, i djathtë tipik, me shpirt Kristian, i formuar në përmasat e një poligloti edhe pse poetika lezhjane e ka mbushur me mjaft flegmatizëm.
Diplomatët: Alizoti dhe Kreshnik Çollaku, Bogdani e juristi Alibeaj, qëndrestarët e mëdhenj Salianji e Balliu, kryetari i Forumit Rinor, por mjaft i sprovuar Këlliçi, znj. Nebijaj dhe znj. Duma, e shumë e shumë të tjerë që i njohim dhe nuk i njohim.
I përmenda këto personalitete për t’i kujtuar z. Basha se jemi të bindur se secili prej tyre do t’ju kishte rivalizuar më me dinjitet se sa ata që janë vetëshpallur, se këto personalitete janë më të përligjurit dhe më të fortë ndaj jush!
I përmendëm edhe për një arsye tjetër: mbase mendojmë që ka ardhur koha e alternimit të brezave në mes atyre që bënë 90-ën, pavarësisht se ku ndodhen, dhe atyre që kanë lindur pas 90-ës.
Dhe e fundit që duam të themi është se në Partinë Demokratike kanë bërë të gjithë gabime. Dikush më pak dhe dikush më shumë, dikush më të lehta dhe dikush më të rënda. Po t’i vësh në peshore, peshorja anon nga të mirat e tyre. E kemi fjalën për të larguarit nga Partia Demokratike dhe që gjykojmë se janë larguar më shumë për gabimet e tyre, por nga ana tjetër, mendojmë se edhe ju keni një pjesë faji për largimin e tyre.
Kontributet dhe shërbimet që ata i kanë bërë Partisë Demokratike nuk mund të hidhen në kosh, ashtu sikurse dhe tuajat!
Ata mbeten pjesë e historisë së Partisë Demokratike. E kemi fjalën për Jozefinën, të cilën të gjithë dikur e kemi quajtur “Zonja e Hekurt”; apo për Astritin, që mbas doktorit ishte deputeti më brilant në parlamentin shqiptar!
Shkojmë edhe tek Bode, qëndrestari i madh i vitit të zi ‘97, që mbrojti thuajse më shumë se kushdo Partinë Demokratike.
Basha mjafton t’i referohet eksperiencës që i ka lënë paraardhësi i tij, z. Berisha, i cili bashkoi edhe kundërshtarët e tij më të mëdhenj, bile edhe ata që pothuajse i kishin shpallur armiqësinë . Z. Basha nuk mund të flasë për bashkim duke harruar dhe përjashtuar këtë pjesë që i kanë kontribuar aq shumë Partisë Demokratike dhe që për largimin e tyre ka përgjegjësinë e vet.
Basha duhet ta dojë Partinë Demokratike dhe të përpiqet ta drejtojë atë si dr. Berisha.
Nga Halil Gjongecaj – Militant i vjetër i Partisë Demokratike