Dënimi i ish-deputetit dhe ligji kundër mediave. Basha mesazh Edi Ramës: I ke bërë llogaritë gabim!
“Dënoi opozitën dhe i mbylli gojën medias”, ishte ky reagimi i ashpër i kryedemokratit Lulzim Basha duke deklaruar se Edi Rama bashkë me krimin e organizuar minoi dy kolonat kryesore të demokracisë.
Pas vendimit të gjykatës që dënoi ish-deputetin Ervin Salijanji dhe gazetarin Jetmir Olldashi, si dhe miratimin e ligjin për censurën në Kuvend, Lulzim Basha tha në një deklaratë për mediat se Edi Rama ka goditur sot kolonat e demokracisë.
“Edi Rama ka hedhur sot në erë dy prej kolonave kryesore të demokracisë në Shqipëri. Sot, ai dënoi me vendim gjykate, pa asnjë provë, opozitën dhe median që zbuluan dhe denoncuan përshirjen në trafikun e drogës të vëllait të Ministrit të brendshëm të Edi Ramës. Po sot, Edi Rama miraton ligjin që synon t’i mbyllë gojën medias online për të mos denoncuar aferat e rënda korruptive të tij dhe të familjes së tij, afera që fusin dorën në xhepat e shqiptarëve për t’i vjedhur ata, në mënyrë që të pasurojnë Edi Ramën. Të dy këto vendime, që minojnë demokracinë dhe shtetin e të drejtës në Shqipëri, Edi Rama i merr sot, i ndihmuar nga krimi i organizuar. Me krimin e organizuar ai vodhi dhe bleu votat e shqiptarëve për të sunduar në parlamentin ilegjitim. Me krimin e organizuar, Edi Rama sundon drejtësinë“,- tha në një deklaratë për mediat Lulzim Basha.
Kreu i PD-së pati dhe një mesazh të drejtpërdrejtë për kryeministrin Edi Rama.
“Ne jemi Partia Demokratike! Ne jemi sot partia që gëzon besimin e shumicës dërrmuese të shqiptarëve. Bashkë me ta, do të bëjmë të mundur që, me zgjedhje të lira e të ndershme, të shpëtojmë vendin nga një kryeministër që sundon me një grusht kriminelësh dhe oligarkësh. Partia Demokratike është dhe do të jetë në krahun e çdo gazetari, në krahun e çdo qytetari, që denoncon padrejtësinë, korrupsionin dhe lidhjet e Edi Ramës, familjes apo qeverisë së tij me krimin e organizuar. Mesazhi im për Edi Ramën është i thjeshtë dhe i qartë: I ke bërë llogaritë gabim!”,- deklaroi kreu i PD.