”Basha groposi Komisionin”, Bardhi i përgjigjet Berishës: Ngjarja e Elbasanit nuk është si Gërdeci

”Me urdhër të Lulzim Bashës u gropos Komisioni Hetimor që ishte ngritur në tetor për të hetuar, atë që opozita e quante masakrën zgjedhore të 25 prillit”, tha sot Sali Berisha, i cili shtoi se ai Komision u shua në momentin që u shtua edhe ngjarja e Elbasanit, ku u vra Pjerin Xhuvani nga Struktura për Mbrojtjen e Votës e ngritur nga PD-ja. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i cili ka qenë i deleguar i PD-së në Elbasan për 25 prillin, e ka cilësuar si gënjeshtër dhe sipas tij u bllokua nga PS-ja. Bardhi madje i kujton Berishës tragjedinë e Gërdecit, ku mbetën të vrarë 26 njerëz, dhe shton se nuk është e njëjtë me ngjarjen e Elbasanit.

Postimi i plotë i Gazment Bardhit

Dy gënjeshtra të mëdha të Sali Berishës që duhen çmontuar.

GËNJESHTRA E PARË

“Rudina Hajdari dhe Myslym Murrizi nuk dëmtuan interesin e PD.”. Gënjeshtër. Sali Berisha e di shumë mirë që po mashtron demokratët. Rudina Hajdari dhe Myslym Murrizi ishin deputetët që bashkuan votat me Edi Ramën për të hequr koalicionet, për të prishur marrëveshjen e 5 qershorit, duke i hequr fitoren PD dhe duke i dhuruar Edi Ramës mandatin e tretë.

GËNJESHTRA E DYTË

“Komisioni Hetimor për masakrën zgjedhore u shua, sepse u kërkua hetimi i ngjarjes së Elbasanit”. GËNJESHTËR! Dokumentet parlamentare provojnë se Komisioni Hetimor u bllokua nga Partia Socialiste. Edi Rama rrëzoi planin e hetimit duke bllokuar punën e Komisionit dhe duke mos lejuar zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit.

Ngjarja e Elbasanit padyshim që është një ngjarje e rëndë, sa kohë një qytetarë mbeti i vrarë dhe disa të tjerë u plagosën. Ajo ngjarja po hetohet nga drejtësia dhe unë kam qenë dhe mbetem i vendosur që ajo ngjarje të hetohet plotësisht, me paanësi dhe profesionalizëm.

Ngjarja e Elbasanit nuk është ngjarja e Gerdecit, ku mbetën të vrarë 26 qytetarë, nga babëzia e familjarëve të Sali Berishës për të nxjerr para të pista nga kudo. Ngjarja e Elbasanit ishte pasojë e një beteje të pabarabartë mes demokratëve që luftonin për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, dhe bandave të Edi Ramës që terrorizonin qytetarët për të vjedhur zgjedhjet. Koha i dha të drejtë Partisë Demokratike, se në Elbasan krimi i organizuar ishte përfshirë në fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste dhe po blinte vota për llogari të pushtetit të Edi Ramës.

Pas heshtjes së Sali Berishës për konstatimin e SHBA se krimi i organizuar kishte blerë vota për llogari të Edi Ramës në qarkun Elbasan dhe Tiranë, akti i sotëm i marrjes në mbrojtje të bandave të Elbasanit, duke amnistuar Taulant Ballën e Edi Ramën dhe përgjegjësinë e tyre në ngjarjen e Elbasanit, është prova e qartë se Sali Berisha i ka shpallur luftë demokratëve, jo bandës në pushtet.

Me qendrimin e sotëm për ngjarjen e Elbasanit, Sali Berisha vetëm sa amnistoi krimin e bandave të Edi Ramës dhe Taulant Ballës për t’u vjedhur fitoren demokratëve. Kjo është hera e dytë që Sali Berisha qendron në krah të bandave të Elbasanit. Për herë të parë e bëri, kur e ftova publikisht të dënojë përfshirjen e bandave në procesin e brendshëm të PD për të mbledhur firma për 11 dhjetorin. Atëherë heshti si fija e barit!!! Sot e kuptojme te gjithe pse heshti! Sot ai amnistoi bandat e Elbasanit! Amnistoi edhe krimet e Edi Rames me zgjedhjet!

Atyre që sot Sali Berisha u duket shpëtimtar, shumë shpejt do ta kuptojnë se ngjitja e tij në krye të PD-së nuk ka lidhje as me sjelljen e demokratëve në pushtet, as me një betejë të vërtetë opozitare kundër Edi Ramës! Ka lidhje vetëm me hallin e tij për vdekjen e 26 qytetarëve të pafajshëm në Gërdec, për shkak të babazisë së familjarëve të tij për tu pasuruar në kurriz të jetës dhe shëndetit të shqiptarëve.

SHKARKO APP