Basha i prerë: Nuk ka bashkëqeverisje me Ramën
“Në mënyrën më absolute nuk ka dhe nuk ka për të pasur qeverisje me Edi Rama”.
Kështu u shpreh kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ftuar këtë mbrëmje në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan.
I bindur në fitoren e opozitës, Basha tha se ftesa e kryeministrit Edi Rama për bashkëqeverisje, është pranim i humbjes nga ana e tij.
“Shifrat do të jenë thellësisht fituese për aleancën tonë, këtë e di çdokush, e dinë ata që bëjnë sondazhe dhe i di siç janë pa u paguar për t’u ndryshuar, e dimë ne e dinë gjithë shqiptarët, e di edhe Edi Rama. Si ka mundësi një muaj e gjysmë sharje e fyerje s’la gjë pa thënë dhe në fund fare tha hajde të bëjnë qeveri bashkë. Çfarë do të thotë kjo? Që edhe ai e di që më 25 Prill… kjo është të pranosh humbjen, tani e dinë dhe socialistët”, tha Basha.
I pyetur se çfarë do të bëjë nëse humb edhe më 25 Prill, kryedemokrati e përjashtoi si mundësi një opsion të tillë.