Basha: Jemi në një moment kritik, por PD përfaqëson shumicën e shqiptarëve. Do dëgjohen tringëllimat e prangave
Nga Rrogozhina, ku edhe çeli fushatën elektorale për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, kreu i PD-së Lulzim Basha teksa pranoi se janë në një moment kritik, theksoi se PD-ja përfaqëson shumicën e shqiptarëve. Për të sulmet denoncuese ndaj afera korruptive në vend do të intensifikohen, pasi sipas Bashës, sa më shumë afrohet nxehtësia e drejtësisë, aq më shumë iu dëgjohen tringëllimat e prangave dhe aq më shumë flasin për brava.
“Gjuha shkon ku dhëmb dhëmbi. Dy ministra i ka prapa bravave te 313. Të tjerë e kanë radhën. Ky është nga ata që i bën kurban se kujton se do të shpëtojë vetë. Por nga e vërteta nuk shpëton dot, munda ta vonosh, mund ta shtrembërosh, edhe me ndihmën e patericave që kanë vënë hallet e tyre personale mbi interesat e shqiptarëve, mbi interesat e demokratëve, por nuk e vonon dot. Aq sa nuk e vonon dot të vërtetë, aq nuk e ndalon dot Partinë Demokratike në misionin që kemi marrë përpara shqiptareve”, tha Basha.
Për të tepër, Basha nënvizoi se misioni i demokratëve është i qartë, pavarësisht se ata sot janë në një periudhë reflektimi të dhimbshme.
”Ja ku jemi sot të mbledhur në një sallë për t’i treguar Rrogozhinës dhe Shqipërisë se asgjë nuk na ndal. Dhe atëherë kur kujtojnë se të gjithë bashkë mund të na ulin kokën, vetëm më të fortë jemi, vetëm më të vendosur jemi, se ne e dimë që përfaqësojmë shumicën dërrmuese, të heshtur, kokulur, të vjedhur të shqiptarëve. Jemi të gatshëm t’i dalim atyre zot”.