Basha: Mbyllja e kufirit për shqiptarët nga Rama, akt kriminal dhe papërgjegjshmëri

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e cilëson kriminal qëndrimin e qeverisë “Rama” për bllokimin e emigrantëve shqiptarë në kufirin me Greqinë.

Në një reagim në Twitter, Basha shprehet se mbyllja e kufirit është papërgjegjshmëri e pafalshme e qeverisë. Basha ka publikuar dhe një foto të qytetarëve shqiptarë që po kalojnë netët në kushte çnjerzore në zonën neutrale të kufirit Shqipëri-Greqi.

“Mbyllja e kufirit për dhjetëra shqiptarë në tokën neutrale Shqipëri-Greqi dhe ndalimi i tyre për të hyrë në atdhe e për tu kthyer në shtëpitë e tyre, është një akt kriminal dhe i papërgjegjshëm”,- shkruan Basha.

Kreu i PD-së shprehet se qytetarëve po u shkelet një e drejtë kushtetuese dhe po trajtohen si refugjatë nga shteti i tyre.

“Qeveria shqiptare është përgjegjëse për jetën e çdo shqiptari. Kushtetuta e Shqipërisë e detyron qeverinë të mos lërë pa atdhe asnjë shqiptar. Ata nuk mund të trajtohen kurrësesi si refugjatë nga shteti i tyre. Tragjedia që po luhet prej 4 ditësh para syve tanë me jetët e dhjetëra shqiptarëve duhet të marrë fund sot!”,- deklaron kreu i PD-së.

https://arkiva.kohajone.com/1062131-2/

SHKARKO APP