Lulzim Basha në Durrës: Vangjush Dako duhet të ishte në burg

Kreu i PD-së, Lulzim Basha është takuar sot me banorët e prekur nga tërmeti në Durrës. Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, Basha u shpreh pas tre javësh nga tragjedia qeveria ende vijon të shpërndajë paratë për oligarkët. Basha deklaroi se dihen emrat e përgjegjësve për cilësinë e dobët të pallatave të ngritura atje.

Përgjegjësia fillon me ata që kanë përgjegjësi për ndërtimet dhe licensimin e ndërtimeve, që është shteti. Këtu në Durrës kemi edhe një veçori se në 99% të pallateve, ai që ka firmosur për këto leje, ka sjellë edhe betonin, në konflikt interesi, Vangjush Dako. Pasi mbaron gjithçka, kolaudohet dhe prapë pushteti vendor, bashkia, ka për detyrë të kolaudojë që gjithçka është bërë në rregull. Përgjegjësia fillon dhe mbaron me shtetin. Ç’është ajo shprehje “do t’i bëj unë letrat”. Çfarë letrash do të bëjë ai? Ai duhet të shkojë në burg për këto gjëra.”- tha kryetari I PD, Lulzim Basha.

Kreu i PD-së e cilësoi të papranueshëm faktin që tre javë pas tragjedisë qeveria nuk zgjidhë problemet e qytetarëve, por ndanë paratë me oligarkët. “Kjo situatë e pasigurisë është e papranueshme, sepse po hyjmë në javën e tretë. Duhet të ketë qartësi se çfarë po ndodh dhe qartësia fillon me vlerësimin e çdo banese. Pa vlerësuar banesat, ju nuk mund të keni qartësi. Tani këta duhet të transferojnë fondet, se s’ka gjendje emergjence pa fonde. Të marrin ato 150 milionë dollarë të oligarkëve dhe t’i kalojnë në dispozicion të situatës së tërmetit. Shumë pak familje mund të jenë në gjendje të bëjnë diçka vetë, të tjerëve ky tërmet u ka marrë gjithçka. u ka marrë pasurinë e një jete. Shteti është i shqiptarëve. Fondet janë të shqiptarëve, buxheti është i shqiptarëve, nuk është as i oligarkëve, nuk është as i Edi Ramës“ – theksoi kreu i opozitës.

 

SHKARKO APP