Basha në PPE: Mos pranoni gjëra që nuk do t’i pranonit kurrë për zgjedhësit tuaj
Samiti i PPE-së për Ballkanin Perëndimor, sipas Lulzim Bashës duhet që të adresojë pengesat në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së. Basha thekson se duhet guxim për të drejtuar gishtin ndaj atyre që gërryejnë demokracinë, sundimin e ligjit dhe lirinë e medias, ndërsa iu kërkon që të mos pranojnë për vendet tona gjëra që nuk do t’i pranonin kurrë për zgjedhësit e tyre.
”Në këtë proces, sinqeriteti dhe guximi janë thelbësorë. Guxim për të drejtuar gishtin ndaj veprimeve dhe autorëve që gërryejnë demokracinë, sundimin e ligjit dhe lirinë e medias. Duke mbajtur qëndrim, për të mos pranuar për vendet tona, gjëra që nuk do t’i pranonit kurrë për zgjedhësit tuaj.
Rajoni ka nevojë për më shumë mbështetje për sundimin e ligjit, më shumë ndihmë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, më shumë mbështetje për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Vetëm në këtë mënyrë ne mund të krijojmë, së bashku më shumë mundësi për të rinjtë tanë dhe qytetarët tanë, dhe të bëhemi udhëheqës të vërtetë për shpresat dhe aspiratat e tyre dhe jo shfrytëzues të frikës dhe anktheve të tyre”.