Basha nis turin nga Elbasani: Sfida më e madhe e jona me të rinjtë, do kthejmë shpresën e humbur

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha nga Elbasani u shpreh se qeveria ka dështuar totalisht në politikat e saj ndaj rinisë, duke e lënë atë në mëshirë të fatit dhe duke i afruar si rrugë zgjidhjeje vetëm emigrimin.

“Sot është një ditë e madhe, më 4 nëntor rinia gjermane rrëzoi Murin e Berlinit, ndërsa më 4 nëntor pas rënies së komunizmit u mbajt Mesha e parë në Shkodër. Vendi duhet të dalë sa më shpejt nga kjo krizë e tmerrshme, sepse rinisë ia kanë hequr të drejtat, sepse ky kryeministër, ky pushtet, ka dështuar me rininë, duke i mbajtur me rroga të tmerrshme, me kushte jetese shumë të dobëta, me arsim që vështirësisht është i mundshëm, me gjendjen e dobët ekonomike familjare në Shqipëri. Ky kryeministër ka dështuar në mënyrë të qartë”, tha Basha.

Lulzim Basha theksoi se kjo qeveri ka vrarë shpresën e rinisë dhe të shqiptarëve, ndërsa ka premtuar rikthimin e shpresës te shqiptarët, duke thënë se PD do të sjellë politika të cilat janë frytë-dhënëse për rininë e Shqipërinë.

“Kjo qeveri ka vrarë shpresën, besimin tek e nesërmja dhe ka detyruar rininë të drejtohet në vetëm një shtegun e emigracionit. Nuk ka pse të jetë kështu, sepse jetojmë në një vend të bekuar dhe që banohet me njerëz punëtor e të ndershëm. Shqiptarët kanë shkëlqyer gjithmonë, por duhet një qeveri që të mbështesë këtë rini. Unë zotohem dhe PD që të kthejmë shpresën në vendin tonë, t’iu japim mundësi që të ketë këtu shanse për vende pune, përmes klimës atraktive të afrimit të investitorëve. Ne do të ndryshojmë këtë vend, ta bëjmë të atillë që ju si rini të zgjidhni të rrini këtu, të punësoheni këtu e të ndërtoni familjet tuaja këtu. Nga Elbasani PD nis turin e saj bashkëbisedues me rininë dhe shqiptarët”, deklaroi Basha.

SHKARKO APP