Basha propozon: Kreu i qeverisë jo më shumë se dy mandate. Kush prek votën të dënohet me 22 vite burg
Gjatë takimit me të rinjtë e FRPD-së këtë të martë, Lulzim Basha shprehu dy propozime, duke theksuar se pushteti nuk mund të ekzistojë më shumë se dy mandate dhe kush prek votën e lirë të qytetarëve shqiptarë të dënohet me 22 vite burg. “Themeli janë zgjedhjet është vota. Pushteti korrupton. SHBA thotë jo më shumë se dy mandate dhe këtë kam propozuar edhe unë”, tha ai.
Kreu i PD-së theksoi edhe se ka propozuar që sanksionet për shkatërrimin e zgjedhjeve në Shqipëri të bëhen aq të forta sa në Itali.
“Një politikë që kap pushtetin me mjete të tilla nuk ka fytyrë njerëzore, sado bukur të aktrojë, recitojë apo të ngërdheshet. Shqipërisë i duhet një politikë me fytyrë njerëzore, kjo është arsyeja pse i duhet rinia. Kjo është një përplasje brezash dhe kulturash. Rinia nuk di të linçojë, ka një tjetër kulturë. Nuk ka zemërim më të bukur se ai i rinisë, është ai që do ta ndryshojë Shqipërinë”, tha Basha.
Për të një politikë me fytyrë njerëzore mund të garantohet veçse nga vota e lirë. Basha u shpreh se vetëm vendosja e rregullave do mundësojë kalimin nga fjalët tek veprat, duke shtuar më tej se për këtë demokratët e kanë një plan.