Basha: Rexhep Çeliku do të jetojë gjithnjë me krahët lart e shikimin nga qielli
Lulzim Basha, Kryetari i Partisë Demokratike, ka reaguar me dhimbje sot, pasi lajmit se mjeshtri i madh i skenës shqiptare, Rexhep Çeliku ndërroi jetë.
Basha shkroi në rrjetet sociale:
“Jam i hidhëruar nga lajmi se u largua sot shumë para kohe, një zot i skenës, Rexhep Çeliku. Që në fëmijëri më ka lënë mbresa arti i tij dhe kam menduar se askush më mirë se ai nuk e manifestonte shpirtin shqiptar, historinë tonë të stuhishme, sepse askush më shumë se ai nuk i ngjante një shqiponje me krahët e hapur e shikimin e mprehtë.
Vallja e tij ishte një ushqim epik që të çonte shpirtin peshë. I detyrohemi shumë Rexhep Çelikut, i cili, ishte bërë me kohë me talentin, pasionin dhe virtuozitetin e tij, nder i kombit. I mundur nga sëmundja e rëndë, por fatlum që do jetojë gjithnjë tek ne, me krahët lart e shikimin nga qielli, si shqiponjë krenare”.