Basha takon kryetarin e Parlamentit ukrainas: Fitorja fuqizon kauzën e demokracisë dhe rrit sigurinë europiane

Në prag të nisjes së diskutimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës për Rezolutën për rindërtimin e Ukrainës, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me kryetarin e Parlamentit ukrainas, Ruslan Stefanchuk, i cili i ka shprehur mirënjohjen e vendit të tij për rezolutën.

”Kënaqësi që në prag të nisjes së diskutimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës për Rezolutën për Rindërtimin e Ukrainës të takoja kryetarin e Parlamentit ukrainas, Ruslan Stefanchuk.

Diskutuam situatën atje dhe nevojën për të shtuar përpjekjen në ndihmë të Ukrainës. Fitorja e Ukrainës jo vetëm që do të fuqizojë kauzën e demokracisë, por gjithashtu do të rrisë sigurinë evropiane.

Më shprehu mirënjohjen e vendit të tij për rezolutën e paraqitur prej meje. Jam i lumtur që m’u dha mundësia që edhe Shqipëria të japë një kontribut të rëndësishëm për krijimin e mekanizmit përmes të cilit Rusia sot dhe çdo agresor i mundshëm në të ardhmen, të mbahet përgjegjës edhe financiarisht për krimet dhe dëmet e shkaktuara.

Uroj që ky kontribut edhe në emër të Shqipërisë të vendosë standardet për të sotmen dhe të ardhmen, duke i shërbyer paqes dhe sigurisë në botë”,-shkruan Basha.

SHKARKO APP