Basha zbulon kërkesën e tij për konsensus kombëtar dhe komenton raportin mes Ramës dhe Metës

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha gjatë një lidhje me Skype për emisionin “Pasdite me Xhaxhiun” në Fax News foli mbi situatën pandemike që po kalon vendi. Ai tha se fasoneritë duhej të mbylleshin më shpejt, duke mënjanuar një situatë të tillë si ajo në Krujë.

I pyetur nëse do ishte Kryeministër në këtë situatë që po kalon vendi ai tha “se do ndiqja këto 3 rrugë urgjentisht: Do mbyllja urgjentisht kufijtë më Italinë që në momentin që plasi pandemia; Nuk do prisja 2 javë për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme sepse dukej qartë se ishte një gjendje e tillë; Do të anuloja të gjitha kontratat koncesionare me përjashtim të hemodializës dhe me lekët e këtyre dhe të tjera koncesione do të viheshin në ndihmë të njerëzve në nevojë”.

Sipas Bashës 45 ditë ishin të humbura dhe ai thotë se do ti kishte përdorur për të blerë kite për të testuar.

“Do kishim deri 50 herë më shumë testime nga sa kemi sot”, tha Basha.

Kreu i Partisë Demokratike deklaroi se është shtruar rruga për një konsensusi kombëtar për të ecur përpara ndërsa njëkohësisht sipas tij, pala tjetër flet për arkivole duke mbyllur sytë nga tenderat korruptiv. Basha tha se nuk i intereson asnjë betejë politike për momentin, veçse ajo me pandeminë dhe hallet e qytetarëve për të cilën tha i del dhe i mjafton.

“Sa na takon ne, prej ditës së parë kemi pasur një synim, shëndetin dhe jetën e qytetarëve, për këtë arsye kemi afruar gjithë ekspertizën tonë që është e mjaftueshme, për të shtruar rrugën për një konsensus kombëtar për të ecur përpara, për fat keq përqasjes sonë strategjike i është kundërvënë një përqasje që me sa duket nuk e kanë luftën me virusin por me njerëzit. Nuk mund të flitet ndërkohë nga njëra anë për arkivole dhe nga ana tjetër të mbyllësh sytë para një tenderi ku vidhen me një dorë mjaftueshëm para për të paguar njerëzit në nevojë. Ne kemi kërkuar të përmbushim detyrat minimale në kohë krize. Këto janë tiparet e një qeverie që jo vetëm nuk e ka marrë seriozisht por ka dështuar. Jemi në një betejë të tillë që realisht nuk me intereson asnjë betejë tjetër. Del e mjafton kjo betejë, është për jetë a vdekje, më mjafton dhe më del kjo betejë”, tha ai.

Ndërkohë ditët e fundit janë vënë re deklarata të përbashkëta dhe njëfarë afrimiteti mes mazhorancës dhe presidentit Meta, gjë për të cilën Basha u pyet nga Xhaxhiu nëse e ka vënë re njëlloj flirtimi.

“Nuk shpenzoj asnjë sekond për çështje të tilla dhe nuk mendoj se ju interesojnë shqiptarëve. Nuk ka më kohë as për pallavra, as për akuza, e gjithë energjia duhet për të ndihmuar këta njerëz. Kjo qeveri është vendosur në luftë me njerëzit, ne do të vendosemi në luftë me virusin”, tha kryedemokrati Lulzim Basha.

Por pavarësisht se në kushte emergjence, mazhoranca ka gjetur kohë për të akuzuar Partinë Demokratike edhe kryetarin e saj në lidhje me lobimin në SHBA.

“Normalisht kur nuk jep përgjigje për aferat me të cilat kapen, nxjerrin akuza, është një humbje totale e kohës për ta komentuar, akuzë bajate për diçka bajate që është totalisht transparente për një kontratë të PD-së në luftën kundër krimit dhe drogës, për të marrë ndihmën e DASH, ndodhet në departament. Të dhënat tregojnë se mes zhdoganimit dhe vlerës, çmimet shkojnë 4 fish, dhe në vend të merren me këto merren me akuza të pavërteta. PD synon gjithmonë përmirësimin e vetës për të përmirësuar jetën e qytetarëve, përtej programit politik vëmenjda jonë mbetet tek problemet e njerëzve me emrgjencën sepse situata është shumë më e trishtë se sa ishte. Shumica e familjeve është në emergjencë ekonomike, dhe për këtë nuk duhet ta zërë gjumi as kryeministrin as mazhorancën”, tha Basha.

Por si ka ndikur virusi personalisht nëjetën e kryetarit të opozitës?

“Natyrisht që virusi më ka larguar edhe nga të afërmit e mi. Por është detyra jonë sot pavarëisht kushteve, të bëjmë gjithçka për t’ju ardhur në ndihmë 70% të shqitarëve që janë në kushte tepër të vështira, është detyrë për t’ju kthyer paratë e tyre”, u shpreh kryedemokrati.

Pjesë nga intervista

Rezar Xhaxhiu: Me shumë mirësjellje ky falënderim zoti Basha. Do të donim ta dëgjonim këtë edhe nga kryeministri i vendit, por që gjithsesi ai ka tjetër optikë…

Lulzim Basha: Shpresoj do ta dëgjoni nga kryeministri pas zgjedhjeve.

Rezar Xhaxhiu: Zoti Basha a shikoni ju një lloj menaxhimi të krizës përmes propagandës, një lloj centralizimi të informacionit që vjen si rezultat edhe i centralizimit të spitalizimit paralelisht?

Lulzim Basha: Unë shoh një keq menaxhim të situatës që vjen në radhë të parë nga mungesa e një plani, mungesa e një strategjie. Në qoftë se nuk ke plan atëherë do të veprosh kuturu. Ndryshe sot, ndryshe nesër, ndryshe pasnesër. Tjetër gjë thuhet në mëngjes, tjetër gjë thuhet në drekë, tjetër gjë thuhet në darkë. Dhe për të mbuluar këtë paaftësi dhe këtë pa përgatitje për t’u përballur si me virusin, ashtu edhe me pasojat sociale dhe ekonomike, për të mbuluar sadopak të vërtetën e dhimbshme që shqiptarët e panë edhe në rastin e tërmetit të një shteti prej kartoni i cili është shkatërruar sistematikisht për shkak të korrupsionit, paaftësisë dhe zhvendosjes së burimeve shtetërore, financiare të shqiptarëve në duart e pak njerëzve, pastaj kemi propagandën nga mëngjesi deri në darkë e cila nuk merret kurrë me thelbin e çështjes. Dhe thelbi i çështjes janë dy: është shëndeti i shqiptarëve dhe është ekonomia që sot është në pikën e saj më të zezë, qoftë në kuptimin e gjendjes ekonomike kombëtare dhe akoma më shumë në gjendjen ekonomike të shumicës dërrmuese të familjeve shqiptare që para krizës 50 përqind konsideroheshin të varfër, tani imagjino prej më shumë se një muaji edhe ata që mund të konsideroheshin shtresë e mesme se kishin një 300 mijë lekësh apo 500 mijë lekësh rrogë apo të ardhura si të vetëpunësuar nuk i kanë më këto të ardhura. Kërkesa jonë, thirrjet tona për t’i dalë përpara të keqes për fat të keq deri tani jo vetëm që nuk janë dëgjuar, por janë përbuzur, janë hedhur tutje, janë zëvendësuar nga propaganda, e cila nuk e mbush barkun e shqiptarëve dhe nuk mund të mbushë tavolinën.

Ju e shikoni e dhatë edhe në hapje të emisionit që një vatër e rrezikshme e fasonëve në Krujë është aktivizuar dhe brenda një kohe shumë të shkurtër ka infektuar masivisht kryefamiljare, nëna, vajza në Krujë dhe në Kurbin. Pse?! Sepse prej 4 javësh qeveria, kryeministri refuzon propozimin tonë që të heqë 15 milionë euro nga 1 apo 2 kontrata oligarkësh, mjaftojnë ato për 4 javë për të 70 mijë punonjësit e fasonerive për t’iu paguar pagën minimale. Çfarë do të bënte kjo?! Do të ç’aktivizonte këto bomba. Pse janë bomba?! Sepse në qoftë se ke 100, 200, 300 njerëz brenda një hapësire të mbyllur është e pamundur, jo vetëm në kushtet e Shqipërisë por edhe në kushte të tjera që ti të frenosh përhapjen e virusit. Dhe ja ku jemi sot, parlajmërimet tona nuk janë dëgjuar, masat nuk janë marrë, kemi dhjetëra të infektuar, infeksioni sot vazhdon të përhapet. Dhe pa diskutim përtej gjendjes që dhimbshme që kjo krijon tek njerëzit ka edhe një kosto financiare shumë më të lartë sesa ajo që mendonte kryeministri që do të kursente duke mos paguar pagën minimale për të 70 mijë punëtorët. Thënë ndryshe siç e thonë britanikët, penny wise and pound stupid. Kësaj i thonë të ruash qindarkën dhe të harxhosh lekun. Kjo është e pafalshme!

Në fund edhe një këshillë në formë batute nga Xhaxhiu të cilës Basha iu përgjigj po me batutë.

Xhaxhiu: Kujdes edhe ju zoti Bsha, mos mendoni se jueni të paprekshëm nga virusi, kur u infektuar Boris Johnson, nuk mund të shpëtoni.

Basha: I uroj shërim atij por jm pak më i ri!

SHKARKO APP