Bashkëshortja e mjekut Arjan Harxhi: Lëtyrë politikë! Nuk u dërgua në Turqi me fondet e ministrisë
Mjeku i njohur infeksionist, njëherazi drejtori i spitalit Covid-3, Arjan Harxhi, u infektua me koronavirus dhe prej ditësh kurohet në një spital të specializuar në Turqi.
Së fundmi një reagim lidhur me kurimin e tij në Turqi ka ardhur nga bashkëshortja e tij, Erjona Shehu e cila shkruan në një postim në rrjetet sociale se është e pavërtetë që Prof. Arjan Harxhi të jetë dërguar në Turqi me fondet e Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas saj ai është dërguar për një mjekim më të specializuar me shpenzimet e familjes.
Erjona Shehu më tej shton se këto lajme kanë prapavijë politike dhe se “kushdo lëtyrë politikë, që ka dashur të përfitojë nga ky lajm i gënjeshtër i them: Ju kam lënë Zotin!”
Postimi i Erjona Shehut:
Të nderuar miq!
Prej datës 6 janar, në media u bë publik një lajm I PAVËRTETË, sipas të cilit Prof. Arjan Harxhi u dërgua për kurim për Covid 19 në Turqi me fondet e Ministrisë së Shëndetësisë.
Prof. Arjan Harxhi, i cili bëri një formë agresive të Covid 19, për shkak të ekspozimit të madh karshi Covid 19, është dërguar në Turqi me SHPENZIMET E FAMILJARËVE të tij. Në asnjë moment nuk kemi prekur fondet e taksapaguesve shqiptarë! Ndaj të shqetësuarit le të qetësohen. Nuk i kemi borxh asnje qindarkë dhe asnjë moment jetë askujt. Interesi për jetën e një njeriu të sëmurë rëndë, për shkak të profesionit nuk u shpreh qoftë dhe me një telefonatë interesi. Ky lajm shqetësoi një familje të tërë dhe mbi të gjitha 2 fëmijë që për mbi 10 muaj dëgjojnë vetëm për Covid 19 dhe zgjohen ore pa ore nga telefoni i babait të tyre, i cili ne çdo moment i është gjendur pranë kujtdo. Kushdo lëtyrë politike, që ka dashur të përfitojë nga ky lajm i gënjeshtërt i them: Ju kam lënë Zotin!
Për të gjithë miqtë tanë: fjalori njerëzor nuk ka mjaftueshëm fjalë për mirënjohjen! Për deshirën tuaj për të na qenë pranë në momentin më të vështirë të familjes sonë me oferta si financiare e deri për të na ofruar kujdes për femijet, trsnsport etj etj, mund t’u themi vetëm: ju kemi në Zemër!