Bashkia e re e Roskovecit fillon punën

Në Pallatin e Kulturës të qytetit të Roskovecit u zhvillua dje mbledhja e parë për konstituimin e  Bashkisë së Roskovecit dhe organeve të saj drejtuese. Në këtë mbledhje solemne  dhe zyrtare ishin të pranishëm deputetët Gramoz Ruçi, Antoneta Dhima dhe Anduel Xhindi si dhe Prefekti i Qarkut të Fierit, Xhevit  Bushi. Gjithashtu të pranishëm në këtë mbledhje të hapur ishin edhe shumë qytetarë. Në bazë të procedurës së përcaktuar sipas ligjit për zbatimin e reformës së re  territorial, mbledhja filloi me ngritjen e komisionit për verifikimin e mandateve  për anëtarët e Këshillit bashkiak. Komisioni në bazë dhe të vendimit të Komisionit  Qendror të Zgjedhjeve konfirmoi këto mandate. Këshilltarët, pasi bënë betimin, filluan procedurën për zgjedhjen e kryetarit.

Në përfundim të votimit u zgjodh kryetare e Këshillit bashkiak zj. Eleni Goga, e cila ftoi kryetaren e Bashkisë së Roskovecit zj. Majlinda Bufi për të bërë betimin.  Në fjalën e saj përshëndetëse zj. Majlinda Bufi  falenderoi qytetarët për besimin që i dhanë me votën e tyre më 21 qershor. Ajo gjithashtu, konfirmoi vullnetin e saj “për të qenë në shërbim të banorëve të krahinës pavarësisht bindjeve të tyre politike”.  “Të  gjitha projektet  kanë në themel punën për përmirësimin e jetës së komunitetit”,  tha në përfundim kryetarja e Bashkisë zj. Majlinda Bufi. 

SHKARKO APP