Bashkia e Tiranës pranon problemet, por kërkon edhe 3-4 vite kohë për zgjidhje
Tirana ka hyrë në vitin e parë të mandatit të dytë që drejtohet nga Erion Veliaj dhe administrata e tij. Mes premtimeve për parqe, pemë, rrugë të asfaltuara dhe të ndriçuara, ujë të pijshëm, transport publik modern, sistemim trafiku etj, kaluan pesë vite dhe pak nga këto janë realizuar.
Qendra e Tiranës, ajo që reklamohet në facebookun dhe instagramin e kryetarit të bashkisë dhe drejtorëve të tij është fasada e asaj që ndodh në kryeqytet.
Edhe pse nga taksa e ndikimit në infrastrukturë në katër vite janë mbledhur 120 milion dollarë, nga tarifat e parkimit 13 milion dollarë, nga taksa e infrastrukturës 25 milion dollarë, pa folur për çmimin e ujit të pijshëm që pas rritjes bashkia arkëtoi 11 milion dollarë më shumë, duket se të gjitha këto nuk janë të mjaftueshme që jeta në kryeqytet të ndryshojë.
Ndërkohë që me ndarjen territoriale të miratuar në 2014 u premtua që edhe fshatin do ta bëjmë si qyteti duke i marrë komunat dhe duke i bërë pjesë të bashkisë, sot pesë vite nga miratimi i asaj reforme, Tirana është ende larg të qenit një kryeqytet europian.
Për të gjitha këto, Ora News pas disa ditëve pritje para bashkisë së Tiranës arriti të marrë një prononcim nga drejtori i Punëve Publikem, Taulant Tusha.
Sipas tij, drejtuesit e institucionit janë në dijeni për problemet që ka qyteti, por thotë se ato duan ende shumë kohë që të zgjidhen.
Tusha: Jam në dijeni të gjithë punëve që bëhen. Do të bëhen me kalimin e kohës. Edhe 3-4 vite.
Por edhe pse Drejtori më i rëndësishëm në bashki, që menaxhon taksat tona, e pranon që problemet duan edhe 3-4 vite të zgjidhen, nga të dhënat e Ministrisë së Financave, bashkia Tiranë zotëron 30% të detyrimeve të borxhit total të njësive vendore.
Kështu kryeqyteti ka 2 miliard lekë detyrime të prapambetura dhe totali prej 6.2 miliardë lekësh që kanë të gjitha bashkitë.
Duke filluar nga lagjia “Ali Demi”, “Qyteti Studenti”, rruga “Qemal Stafa”, “Fusha e Aviacionit, “Yzberishti” e me radhë, problemet janë të dukshme.
Gropat, mungesa e kanalizimeve, mungesa e ndriçmit, mungesa e pusetave etj e bëjnë përditë e më shumë jetën e taksapaguesve të vështirë.
Me punë të pakryera, investime të munguara, probleme që duan edhe katër vite të zgjidhen dhe me një instagram të Erion Veliaj që shkëlqen nga sukseset, pyetja që shtrohet është: Ku shkojnë taksat tona?!
/Ora News