Bashkia e Tiranës vijon aksionin për lirimin e hapësirave publike

 

Bashkia e Tiranës ka vijuar edhe sot aksionin e saj për lirimin e të gjitha hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme nga qytetarë dhe biznese të ndryshme në njësinë administrative nr. 5. Forcat e Policisë Bashkiake dhe ato të INUV-it, të shoqëruara edhe nga Policia e Rendit, janë përqendruar në zonën e “Komunës së Parisit”, ku kanë bërë lirimin jo vetëm të akseve kryesore, por edhe të rrugicave dhe të gjitha hapësirave në brendësi të blloqeve të pallateve.

Aksioni i sotëm u ndoq nga afër edhe nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, i cili në një deklaratë për median, nënvizoi vendosmërinë e Bashkisë së Tiranës për t’i shkuar deri në fund betejës me zaptuesit e hapësirave publike në kryeqytet. Ai ka theksuar se nuk do ketë asnjë kompromis në kundërshtim me ligjin dhe interesat e qytetarëve të Tiranës. “Nuk do të ketë asnjë lloj kompromisi. Çdo ndërhyrje bëhet duke u konsultuar me dokumentacionin paraprak që paraqet çdo subjekt. Por, ajo që kemi vënë re është se në asnjë nga rastet nuk ka një dokumentacion në përputhje me ligjin; madje, ose u ka kaluar data, ose janë dhënë në mënyrë provizore në vitet e kaluara”, u shpreh Seferi.

Më tej, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës shtoi se po ndërhyhet në mënyrë kapilare në të gjitha lagjet e njësisë administrative nr. 5, për të vijuar më pas edhe në të gjithë Tiranën, duke larguar çdo pengesë që është vendosur në mënyrë të paligjshme. “Siç e shikoni, Bashkia e Tiranës është duke punuar fort për lirimin e çdo hapësire publike të zënë në mënyrë të padrejtë. Ky aksion konsiston jo vetëm në akset kryesore, por në të gjitha pjesët, rrugicat dhe hapësirat ndërmjet pallateve”, tha Seferi.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës bëri të qartë se aksioni i nisur nuk është thjesht fushatë, por është vetëm fillimi i një pune të përditshme e strukturave të Bashkisë së Tiranës për të kthyer normalitetin në çdo lagje të kryeqytetit. “Nuk është vetëm një aksion, por nga sot e tutje do të jetë puna e përditshme e bashkisë. Në çdo njësi ku do të hyjmë, në çdo bllok pallatesh, do të ketë patrulla të lëvizshme, të cilat do të verifikojnë, në çdo moment, çfarëdo lloj ndryshimi që do të ndodhë në mënyrë të kundërligjshme, ku kundravajtësit do të gjobiten”, theksoi nënkryetari Seferi.

Gjithashtu, ai ka falenderuar banorët për mbështetjen që i kanë dhënë strukturave të bashkisë për të kthyer ligjshmërinë në çdo rrugë, trotuar, lulishte dhe hapësire të zënë forcërisht.

SHKARKO APP