Bashkia e Tiranës:Kujdes nesër se parashikohen reshje të mëdha

Bashkia e Tiranës njofton të gjithë qytetarët e saj se gjatë orëve në vijim dhe gjithë ditës së nesërme, sipas parashikimeve meteorologjike, pritet një mot i keq me sasi të mëdha dhe rreshje të dendura shiu, deri në nivele të atilla saqë mund të shkaktojnë vështirësi në qarkullim dhe bllokimin e disa prej rrugëve problematike të kryeqytetit.

Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës ka ngritur shtabin e emergjencës, ka ndarë detyrat për 24 administratorët dhe për të gjitha ekipet lokale të ndihmës, duke marrë të gjitha masat për të ulur numrin e problematikave që mund të shfaqen gjatë ditës së nesërme. Në një deklaratë për median, Drejtori për Zhvillimin e Marrëdhënieve me Komunitetin dhe Njësitë Administrative, Admir Abrija, njoftoi se si rrjedhojë e parashikimeve për reshje të dendura shiu nga qendra rajonale e sinoptikës, Bashkia e Tiranës ka angazhuar të gjitha ndërmarrjet e saj për të ndërhyrë e ardhur në ndihmë të qytetarëve për çdo situatë emergjente që mund të krijohet.

Për këtë qëllim, ai tha se puna është bashkërenduar me 24 njësitë administrative, Ministrinë e Brendshme dhe Drejtorinë e Emergjencave Civile. Ndërmarrjet e rrugëve, pastrimit, kanalizimeve, ndriçimit, Policia Bashkiake, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Zjarrfikëset, kanë ngritur grupe të posaçme pune dhe do të jenë në terren, në shërbim të qytetarëve gjatë gjithë ditës, së bashku me administratorët e 24 njësive administrative.

“Bashkia e Tiranës i bën thirrje të gjithë qytetarëve që, gjatë ditës së nesërme, kryesisht paradite deri pasdreke, të shmangin qarkullimin me automjetet e tyre private, si dhe të përpiqen të përdorin transportin publik për të udhëtuar nga një destinacion në tjetrin”, tha Abrija. Ai përcolli edhe një thirrje për banorët që jetojnë në zonat rurale, të cilëve u ka kërkuar të shmangin lumenjtë. “Bashkia e Tiranës i bën thirrje të gjithë qytetarëve, të cilët jetojnë në zona rurale të saj, që të marrin masa e të mos frekuentojnë brigjet e lumenjve në zonat që paraqesin rrezikshmëri”, tha Abrija.

Gjithashtu, Bashkia e Tiranës ka evidentuar edhe rrugët më problematike dhe me mundësi më të lartë për t’u bllokuar, si dhe ka në terren rreth 1200 punonjës dhe mbi 60 mjete. Bashkia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm dhe të shmangin kalimin pranë lumenjve në zonat periferike të Tiranës. Në raste emergjencash, ju lutemi të kontaktoni Bashkinë e Tiranës në numrin 0800 0888 (nga numrat fiks), Policinë Bashkiake në numrin 04 24 19 465, Zjarrfikëset në numrin 128 ose administratorin e njësisë tuaj administrative.

 

SHKARKO APP