Bashkia e Urës Vajgurore ndryshon emrin e saj, ja si do të quhet. Kryebashkiakja tregon se si nisi ideja
Bashkia Ura Vajgurore së shpejti do të quhet Dimal. Propozimi për ndryshimin e emrit ka ardhur nga vetë banorët dhe disa intelektualë të zonës dhe ideja e këtij emërtimi erdhi pas zbulimit të qytetit antik të periudhës Ilire “Dimal”, rrënojat e të cilit u zbuluan në kodrën e qytetit të Urës-Vajgurore. Pas propozimeve të bëra, mësohet se bashkia është konsultuar me qytetarët nëpërmjet shumë takimeve të organizuara me ta, ku është vërejtur dëshira unanime për ndryshimin e emrit.
Kryetarja e bashkisë Urë-Vajgurore, Juljana Memaj ka deklaruar se ka një vit që merret me ndërrimin e emërtimit të bashkisë në Dimal, sipas ligjit të riorganizimit pa ndryshim kufijsh. “Zbulimi i qytetit antik të Dimalit zgjoi idenë për ta shndërruar emrin e Bashkisë së Urës Vajgurore në atë të Dimalit, me qëllim shndërrimin gradualisht në një destinacion turistik të kësaj qyteze”,- ka thënë Memaj.
Ajo ka siguruar të gjithë qytetarët që kanë pasur kontestime për këtë ndryshim duke menduar se mund të ishte me financim nga banorët se ndryshimi i emrit nuk do të ketë asnjë kosto financiare për qytetarët. Memaj ka deklaruar se relacioni me propozimin për ndryshimin e emrit të bashkisë nga Urë-Vajgurore në Dimal do të kalojë shumë shpejt në Këshillin Bashkiak e më pas do të kalojë për miratim në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas kryebashkiakes Memaj, ndryshimi i emrit të bashkisë ka si vizion zhvillimin e turizmit kulturor në këtë zonë, duke evidentuar dhe duke nxjerrë në pah të gjitha asetet që ka ky territor, ku në vazhdimësi do të punohet për zhvillimin dhe rijetëzimin e të gjithë zonës së vjetër e antike të qytetit të lashtë, Dimalit, për ta shndërruar atë në një destinacion turistik.
Bashkia e Urës-Vajgurore pritet që shumë shpejt të mbaj emrin e Dimalit, edhe pse që prej sistemit komunist është quajtur Urë-Vajgurore, pasi kjo qytezë prodhonte lëndën djegëse “vajgurin”.