Bashkimi i opozitës, Dash Shehi: Nuk ja vlen nëse na thonë ec te oborri jonë se kemi gjelin
Dashamir Shehi, kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK), ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion”, ku foli për situatën politike në vend dhe ndër të tjera, u ndal te çështja e bashkëpunimit të opozitës. I pyetur nëse është i nevojshëm një bashkim i forcave opozitare përballë mazhorancës, Shehi u shpreh skeptik ndaj një bashkimi formal pa parime të qarta dhe pa reflektim për gabimet e së shkuarës.
Sipas tij, bashkëpunimi nuk mund të ndërtohet mbi logjikën e nënshtrimit apo dominimit të një force ndaj të tjerave. “Nuk ja vlen nëse na thuhet ‘ejani te oborri jonë se kemi gjelin’”, u shpreh Shehi, duke ironizuar idenë e një opozite të bashkuar vetëm në emër, pa barazi dhe pa respekt reciprok mes aktorëve politikë. Ai shtoi se një bashkim i tillë do të ishte artificial dhe jo funksional.
Kreu i LZHK-së theksoi se opozita duhet fillimisht të pranojë gabimet e së shkuarës dhe të përpiqet t’i korrigjojë ato, përpara se të mendojë për një rrugë të përbashkët. “Ça do bëjmë, do bëjmë krushqni ne? Në qoftë se biem dakord për këto gjëra, që është gabuar e po mundohemi t’i rikuperojmë, mund të bëjmë një rrugë bashkë”, deklaroi Shehi, duke lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit, por vetëm mbi baza të sinqerta politike dhe programore.
KOHA JONË SONDAZH

