Bashkimi i PD-së, deputeti Korreshi: Ka takime të shpeshta, në fokus është 14 maji
Për dosjen ”McGonigal” dhe protesta e 11 shkurtit, duken se janë çështje që bashkojnë dy grupet e PD-së. Deputeti i PD-së Saimir Korreshi, i pyetur për mundësinë e arritjes së bashkimit të PD-së, u shpreh se ka tentativa mes dy grupimeve të kësaj force politike.
Në një intervistë në “EuroNews Albania”, demokrati tha se deputetët e të dyja grupimeve takohen shpesh dhe se në fokus të bisedave është dalja me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme vendore të 14 majit.
”Ka tentativa, realisht të gjithë deputetët e të dyja krahëve, mendoj dhe gjykoj që në takimet tona, në përditshmërinë tonë politike, në fokus është çështja e 14 majit. Të gjithë mendojmë dhe gjykojmë, kemi dëshirën që të garojmë së bashku, të jemi së bashku pasi e keqja jonë e përbashkët dhe lufta jonë është Edi Rama. Besoj se tonet janë ulur, ka kohë që janë zbutur dhe janë çuar mesazhe gjatë gjithë kësaj kohe ndërmjet dy palëve”, deklaroi Korreshi.