Bashkisë së Selenicës: Qeveria nuk na ka financuar asnjë projekt

Nga Agim Jazaj /Po t’i hedhësh një sy të shpejtë hartës së ndarjes territoriale të vendit, do të dallosh lehtësisht shtrirjen gjeografike, sipërfaqen e 61 bashkive të vendit. Një ndër bashkitë e vogla, por më e madhja nga shtrirja, të cilën e kap me cep të syrit, me shikimin e parë; është Bashkia e Selenicës.

Ndoshta e quajtur padrejtësisht: Jo e skalionit të parë, por është në të vërtetë nga më të mëdhatë e vendit, më të pasurat dhe fatkeqësisht nga më të varfrat. Shkurt dhe shqeto: Bashkia më e madhe dhe më e vogla, më e pasura dhe më e varfra… Gjeografia e saj shtrihet përgjatë grykëderdhjes së Vjosës, qysh nga skaji fundor, në lindje kufi me Tepelenën, në juglindje mali “Tartar”, të përfshira në gjirin e saj; ish- komunat e Sevasterit, nga jug lindja Vermiku, komunat e Bratit, Kotës, Armenit, përgjatë rrjedhës së Shushicës, Vllahinës ish- Bashkia e Selenicës etj. Në gjithë hartën e kësaj bashkie ka një terren fushor, kodrinor, kodrinor- malor, por edhe terren malor. Pothuajse në gjithë ish -komunat, gjeografia është e pasur edhe me fusha, të cilat kanë qenë nënujore me sipërfaqe të mëdha, por në shumicë përgjatë këtij çerek shekulli thahen për pikën e ujit, në merakun deri dhe në lënien pa gjumë të kryebashkiak Përparim Shametaj. Pikërisht edhe ujitja e sipërfaqeve nënujore, e përfshirë në planet projektet dhe vëmendjen e kryebashkiakut, po pa e marrë vëmendjen e financimeve nga qeveria. Qoftë dhe sipërfaqja e ish -komunës Sevaster me mbi 600  hektar që ndodheshin nënujitje, sot thahen për pikën e ujit, për mungesën e eletropompave.

Ujitja është shqetësim për gjithë bashkinë, qysh nga Brataj, fushën e Gjormit, Peshkëpi, Drashovicë, Armen, Karbunar, Sevaster, Gorrisht, etj.  Kjo bashki është në krizën e fondeve, por dhe të borxheve të mbartura në vite nga ish komunat, të bëra prezente edhe në mediumet publike nga ana e kësaj bashkie, të drejtuara edhe qeverisë.

Kjo bashki ka në hartën e saj edhe pasurit më të mëdha, e të çmueshme nëntokësore, bitumin dhe naftën, por fatkeqësisht nuk shfrytëzohen ose janë kthyer deri në djerë si miniera e rrallë dhe më e vjetra në Europë, e Bitumit Selenicë, për shkak të taksimit të lartë që të çon, me synimin e falimentimit, e cila nuk nxjerr nga nëntoka e pasur atë pasuri të çmuar që ka shtruar me bitumin e vet edhe rrugët e Parisit dhe fatkeqësisht rrugët e saj kanë mbetur rrugëve! Pikërisht kjo qytezë me ish heronjtë e nëntokës, që nderohen dhe kujtohen deri më tani nga brezat e sotëm, sot po thahet për pikën e ujit, e përjetojnë me dhimbje njerëzit aty si: Ilirjan Caushaj, Gazmir Beqaj, Ventigjar Xhafaj, Xhulio Maraj, Laçi Nazaj, Klevis Veko, e deri te n/kryetari i bashkisë Neim Veshaj etj., gjithë stafi i bashkisë, i cili ndihet “fajtor” pa faj përpara kësaj dhimbjeje, e cila është më e madhe ndoshta tek ata, nga pafuqia, mungesa e fondeve, sepse elektropompa buzë Vjosës, është përmbytur qysh më 31.01.2014, dhe rivendosja e pompës më 03.03. 2014, nxjerr e sjell ujë të ndotur, të pa pijshëm, i përdorur vetëm për shërbime komunale në qytetin e Selenicës.

Kush i dëgjon, i ndjen dhe i përbuz këto klithma, të këtyre njerëzve?! Por, disa nga përpjekjet, pse jo dhe rezultatet e përmirësimit të punës në drejtimin e bashkisë përgjatë një viti, i ndjejnë edhe banorët e kësaj bashkie, i shohin në marrjen e shërbimeve, në mos përbuzjen, performancën e stafit të bashkisë dhe të përkushtimit të kryebashkiakut, i cili shkel me këmbë çdo pëllëmbë të terrenit të kësaj bashkie, bisedon pa qibër me njerëzit: I sheh në sy, i dëgjon me vëmendje, i ndjen me shpirt….

Disa nga pyetjet që i janë drejtuar kryebashkiakut përgjatë kësaj periudhe dhe përgjigjet e tij:

Cilat janë tri arritjet, premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme, gjatë vitit të parë të drejtimit të Bashkisë Selenicë?

Rritja dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimeve të institucionit të Bashkisë Selenicë ndaj qytetarëve. Kontrolli dhe menaxhimi i territorit të bashkisë nga ana e strukturave të saj, e gjendur përballë problematikave të mbartura. Përmirësimi i infrastrukturës rrugore, si dhe investimet e shumta në sektorin e bujqësisë.

Çfarë ka bërë Bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike) dhe transparencën gjatë këtij viti?

Kemi kryer takime, bashkëbisedime të hapura, konsulta të drejtpërdrejta me banorë të fshatrave të bashkisë, ku është dëgjuar zëri i tyre për gjithë problematikat e ditës dhe të perspektivës. Me mediat kemi pasur komunikime të vazhdueshme, duke i informuar për gjithë problematikat dhe dinamikën e zhvillimeve në gjithë territorin e bashkisë.

Cilat janë tri sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato? Sfida kryesore mbetet ngritja e një ujësjellësi që mund të furnizojë mbi 80% të komunitetit, të kësaj bashkie.  Përmirësimi i infrastrukturës rrugore, i cili ndodhet në një gjendje të keqe! Përmirësimi i infrastrukturës në sektorin e bujqësisë.

Janë bërë projekte për të realizuar këto synime, të cilat janë adresuar instancave shtetërore për financim.

Një prej problemeve më madhore në Selenicë është çështja e ujit të pijshëm, i cili është i ndotur si pasojë e përmbytjes së pompave.

A ka arritur dot të marrë një zgjidhje kjo situatë?

 

Kjo ishte dhe është një situatë emergjente. Sapo kemi marrë drejtimin e bashkisë, ne kemi hartuar projektin për ujësjellësin e Selenicës, të cilin e kemi paraqitur edhe në organet përkatëse shtetërore për financim.

Deri më tani nuk kemi marrë përgjigje për zgjidhje. Nga ana e bashkisë është e pamundur realizimi i këtij projekti, për mungesë financash.

Çfarë është bërë për bujqësinë gjatë këtij viti?

Ajo që është bërë për bujqësinë gjatë këtij viti, nuk është realizuar përgjatë këtyre 25 viteve. Bashkia ka investuar mbi 40 milionë lekë të reja në këtë sektor: Si në përmirësimin e sistemit të vaditjes, kullimit, si dhe në ngritjen e argjinaturave mbrojtëse ndaj përmbytjeve.

Çfarë është bërë për infrastrukturën përgjatë vitit të parë të mandatit tuaj?

 Për përmirësimin e infrastrukturës rrugore Bashkia ka investuar rreth 35 milionë lekë të reja, investime, të cilat konsistojnë në riparimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve në fshatra të ndryshëm, si dhe në ndërtimin e disa urave të vogla.

A keni gjetur mbështetje për projektet tuaja?

Gjatë kësaj periudhe kemi mundur të realizojmë një numër të konsiderueshëm projektesh cilësore, të cilat konsistojnë në restaurime shkollash, ujësjellsash, projekte rrugësh, projekte për rehabilitimin e qendrave të banuara, të cilat i janë paraqitur qeverisë. Deri më tani asnjë projekt nuk është financuar.

Selenica ka në territorin e saj dhe zona turistike siç është Amantia e lashtë.  A ka marrë masa bashkia për ta rehabilituar dhe promovuar?

Parku arkeologjik i “Amantias” është në territorin e kësaj bashkie, por në vartësi të Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës- Vlorë.

Në bashkëpunim me këtë institucion dhe shoqatën e fshatit Ploçë, si dhe me shkollat e fshatrave kemi kryer aktivitete të ndryshme kulturore-artistike- sportive etj.  Këto aktivitete thithin një numër të lartë vizitorësh nga e gjithë krahina dhe jo vetëm, duke promovuar vlerat historike të këtij qyteti të lashtë.

Sa janë të ardhurat e Bashkisë Selenicë nga renta minerare e minierave të Bitumit dhe zonës së Naftës dhe si janë përdorur këto të ardhura?

Në raport me dëmin që i sjellin komunitetit si: Dëmtimin e infrastrukturës rrugore nga mjetet e rënda që kalojnë në rrugë, si dhe ndotja mjedisore e shkaktuar, të ardhurat që përfiton pushteti lokal nga këto pasuri nëntokësore, janë fare minimale, deri në 5 milionë lekë.

Këto të ardhura janë administruar dhe përdorur në shërbim të komunitetit si në; përmirësimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore etj.

SHKARKO APP