Batutat nga hapja e fushatës së PD
Partia Demokratike hapi fushatën elektorale me premtimin për ulje taksash për biznesin e vogël.
Ish- kryetari legjendar i partisë, Sali Berisha, nuk foli, edhe pse ishte i pranishëm.
Megjithatë salla e priti me entuziazëm.
Gjatë fjalës së kryetarit aktual, Lulzim Basha, të rinjtë kanë thirrur disa herë emrin e Berishës, aq sa Basha u detyrua të kërkojë qetësi.
“Dëgjoni kryetarin tuaj, uluni”, u tha Basha.
“Të jeni të sigurt se më pas do ma kallin,” tha Basha.
Dhe në fakt salla shpërtheu më vonë në thirrje për Bashën.
Sërish kreu i PD pati probleme me zërin, edhe pse në mitingjet e fundit e kishte përmirësuar këtë gjë.
Ra në sy se sa me shumë entuziazëm u prit dalja në skenë e Grida Dumës, kandidate për Bashkinë e Durrësit.
Ajo nuk e mori dot fjalën për shkak të thirrjeve.
Gjatë fjalimit, salla e ka ndërprerë gjashtë herë Dumën, duke e brohoritur.
Entuziazëm ka pasur edhe për kandidatin e Tiranës, Halim Kosova.
Fjalimi i tij u cilësua si ndoshta më i miri, ndërkohë që Berisha dhe Basha u ngritën në këmbë për ta duartrokitur.
Një batutë pikante lëshoi kandidati për Elbasanin, Ardian Turku, për të cilin kryeministri Edi Rama pati thënë se është burrë i mirë, madje do bënte krushqi me të, por ka një të keqe: kandidon për PD-në.
“Unë jam Ardian Turku, ai burri i mirë, që Edi Rama i ofroi krushqi. Por a bëhet krushqi me Jovan Bregun,” tha Turku.
Kënga e fushatës do jetë “People like us” (Njerëz si ne) e Kelly Clarkson.