BB miraton financimin prej 15 milionë eurosh për Shqipërinë do mbështesë testimin masiv

Banka Botërore miratoi një financim prej 15 milionë Eurosh për Shqipërinë që të ndihmojë vendin të parandalojë, zbulojë dhe të reagojë ndaj pandemisë së COVID-19 (koronavirusit) si dhe të fuqizojë sistemin kombëtar të gatishmërisë së shëndetit publik. Financimi mbulon një gamë ndërhyrjesh për të fuqizuar shërbimet e shëndetit publik dhe për të ruajtur jetët e njerëzve.

Në përgjigje të kërkesës së Qeverisë, projekti do të japë mbështetje të menjëhershme për të ndihmuar Shqipërinë të kufizojë transmetimin lokal të COVID-19.

Në njoftimin për shtyp theksohet se “në mënyrë që të ndihmojë për të zbuluar dhe parandaluar përhapjen e COVID-19, projekti do të mbështesë testime masive të popullsisë; sigurimin e pajisjeve për të fuqizuar zbulimin dhe gjurmimin e kontakteve, investime për pajisje për kujdesin shëndetësor dhe për laboratorët publikë, pajisje mbrojtëse për  personelin mjekësor, rritjen e numrit të shtretërve në kujdesin intensiv si dhe fuqizimin e  kapaciteteve për vlerësimin dhe modifikimin e kërkesave për distancimin fizik. Projekti do të trajnojë staf mjekësor për kujdesin që duhet treguar për rastet me COVID-19 dhe për parandalimin e infeksionit. Tani që Shqipëria ka hyrë në fazën komplekse të rihapjes së ekonomisë, projekti do të ndihmojë që të intensifikohet më tej komunikimi me publikun”.

Ndërsa projekti përqendrohet në fuqizimin e reagimit emergjent të sektorit shëndetësor ndaj COVID-19 (përfshirë edhe valë të tjera të pandemisë së COVID-19), në planin afatmesëm dhe afatgjatë projekti do të mbështesë përmirësimin e sistemit kombëtar të shëndetit publik.

Investimet në kapacitetin e sistemit shëndetësor që lidhen me identifikimin, testimin dhe trajtimin e rasteve me COVID-19, pritet që të forcojnë në të njëjtën kohë kapacitetet e sistemit për shërbime rutinë apo për kriza të tjera shëndetësore.

Duke pasur parasysh pasigurinë e  ecurisë së pandemisë, projekti është hartuar në mënyrë që të jetë fleksibël dhe të plotësojë nevojat që do të shfaqen, ndërsa evoluojnë edhe njohuritë për epidemiologjinë e COVID-19.

Përfituesit e projektit do të jenë njerëzit tashmë të infektuar me COVID-19, qytetarët e rrezikuar, e në veçanti të moshuarit,  njerëzit me sëmundje kronike, personeli mjekësor dhe i emergjencave, ofruesit e shërbimeve në strukturat mjekësore dhe testuese, sikurse edhe agjenci të shëndetit publik të angazhuara në reagimin ndaj krizës.

Banka Botërore informon se “gjatë 15 muajve do të lëvrohen 160 miliardë USD për mbështetje financiare për të ndihmuar vendet që të mbrojnë të varfrit dhe të cënueshmit, për të mbështetur bizneset dhe gjallëruar rikuperimin ekonomik, duke përfshirë këtu 50 miliardë USD burime të reja të IDA-s në grante ose financime me kushte të lehta”

SHKARKO APP