BE qorton Facebook dhe Twitter

BE i ka kritikuar ashpër rrjetet sociale Facebook dhe twitter: sipas Komisionit të BE ato nuk i respektojnë sa duhet ligjet për mbrojtjen e të dhënave të konsumatorëve në Evropë. Në një kohë kur Google i ka përshtatur rregullat e platformës së saj Google plus në një masë të konsiderueshme me kërkesat e Komisionit, Facebook dhe veçanërisht Twitter nuk kanë vepruar kështu. Pika shumë të rëndësishme ata i kanë marrë parasysh vetëm pjesërisht, bëri të ditur Komisioni Evropian. Veçanërisht janë procedurat për bllokimin e përmbajtjeve dhe të llogarive të përdoruesve ku ndeshen problemet më të mëdha.

Komisarja për Drejtësinë e BE, Vera Jourova deklaroi se propozimet e paraqitura deri tani nga këto sipërmarrje janë të pamjaftueshme. “Mbrojtja e konsumatorëve në BE duhet respektuar,” tha Jourova. “Nëse sipërmarrjet nuk i përmbahen kësaj, ato duhet të mbulohen me gjoba”.

Këtyre sipërmarrjeve u qe kërkuar që në nëntor 2016 që ta përshtasin mbrojtjen e tyre për konsumatorët me rregullat e BE. Sipas vlerësimit të Komisionit, Twitteri vazhdon t’i ndryshojë kushtet e përgjithshme tregtare pa i informuar për to përdoruesit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Përdoruesit e Twitterit dhe të Facebookut veç kësaj nuk informohen në kohën e duhur dhe jo mjaftueshëm për fshirjet që i kërcënojnë të përmbajtjeve të dyshuara si ilegale, kritikoi Komisioni.

Swiss Digital Mobile Reklama

Edhe për mundësinë që të paraqitet ankesë kundër fshirjeve që priten ose që kanë ndodhur nuk jepet informacion i mjaftueshëm. Një zëdhënëse e Facebookut deklaroi në lidhje me kritikat se këtë vit janë parashikuar ndryshime. Këtu bën pjesë p.sh. mundësia për t’i informuar përdoruesit më mirë për fshirjen e përmbajtjeve.

Jourova tha më tej se rrjetet sociale i përdorin si platforma publicitare dhe tregtare dhe ato duhet t’u përmbahen nga ky shkak rregullave të mbrojtjes së konsumatorëve.

Kërkesa qendrore të Komisionit të BE ishin p.sh. një e drejtë tërheqjeje në blerjet në internet dhe kompetenca e gjykatave evropiane, që të ngrenë padi mbi bazën e së drejtës nacionale. Më parë, Google, Facebook dhe Twitter parashikonin që në rast konflikti, ai të zgjidhej mbi bazën e ligjeve të Kalifornisë, sepse atje e kanë qendrën këto firma.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?