BE shqyrton “anëtarësim të pjesshëm” për Ukrainën, plan me 5 pika në tryezë

Bashkimi Evropian po shqyrton një plan të ri për t’i dhënë Ukrainës një formë “anëtarësimi të pjesshëm” që në vitin e ardhshëm, me synimin për të forcuar pozicionin e saj në Evropë dhe për ta afruar më tej me strukturat evropiane. Lajmi është raportuar nga Politico, duke cituar zyrtarë dhe diplomatë evropianë.

Katër vjet pas nisjes së luftës me Rusinë, Kievi ka kërkuar që procesi i integrimit të përshpejtohet dhe që Ukraina të përfshihet në BE deri në vitin 2027, si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje me Moskën.

Plani, që ndodhet ende në faza të hershme diskutimi, parashikon që Ukraina të marrë pjesë në strukturat e BE-së dhe në tryezat e vendimmarrjes përpara se të përmbushë plotësisht të gjitha kriteret për anëtarësim të plotë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kërkuar vendosjen e një afati konkret për pranimin, duke paralajmëruar se Rusia mund të përpiqet të pengojë rrugën evropiane të Ukrainës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Çfarë përfshin plani me 5 pika?

Sipas burimeve diplomatike, iniciativa përfshin:

Përgatitjen e reformave: BE-ja ka nisur udhëzime joformale për reformat dhe fondet e nevojshme. Zelensky ka deklaruar se Ukraina synon të jetë gati deri në vitin 2027.

Integrim i pjesshëm: Një formë më fleksibile anëtarësimi, që do t’i japë Ukrainës të drejta të kufizuara dhe pjesëmarrje graduale në vendimmarrje, pa ulur standardet e anëtarësimit.

Kapërcimi i pengesave politike: Kryeministri hungarez Viktor Orbán kundërshton pranimin e Ukrainës, ndërsa diplomatët po shqyrtojnë mënyra për të shmangur një veto të mundshme.

Roli i SHBA-së: Diskutohet mundësia që administrata e Donald Trump të ndikojë për të shmangur bllokimin e procesit nga Hungaria.

Masa të jashtëzakonshme: Në rast të bllokimit të vazhdueshëm, BE-ja mund të përdorë Nenin 7 të Traktatit, që parashikon pezullimin e disa të drejtave të një shteti anëtar.

Zyrtarët evropianë theksojnë se, pavarësisht formës së integrimit, Ukraina do të duhet të përmbushë reforma të thella dhe nuk pritet të ketë kompromise me kriteret themelore.

Nga ana tjetër, kryeministri shqiptar Edi Rama e ka cilësuar idenë si një qasje “krijuese dhe të mirëpritur”, duke lënë të kuptohet se një status i përkohshëm për Ukrainën mund të jetë i pranueshëm.

Nëse miratohet, ky plan do të përbënte një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si BE-ja trajton procesin e zgjerimit, duke krijuar një model të ri integrimi për vende në situata të jashtëzakonshme.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se me 10 shkurt demokratët do të qëndrojnë në Shesh?